Filmi i animuar "Mardhë", premierë në festivalin e animacionit "Anibar" (VIDEO)

Filmi i animuar “Mardhë”, premierë në festivalin e animacionit “Anibar” (VIDEO)

NULL NULL
2 months më parë

Filmi i animuar “Mardhë”, i realizuar nga Flaka Kokolli, do të transmetohet si premierë në festivalin e animacionit “Anibar”.

Ky festival do të bëjë hapjen solemne sonte në orën 20:00 në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ndërkaq nesër në ora 14 do të jepet premiera e filmit të animuar “Mardhë”, njofton Klankosova.tv.

“Mardhë” është bazuar në disa intervista të realizuara më herët për një projekt.

Në ato intervista janë trajtuar tema të luftës të rrëfyera nga gratë.

“Rrëfimet janë marrë diku në vitin 2015 nga gratë, pra intervista veç ka ekzistu, Beti Muharremi është rrëfyesja e intervistës”, ka thënë Flaka Kokolli në “Ora Shtatë” në Klan Kosova.

Realizimi i animacioneve në këtë film sipas saj ka qenë i vështirë pasi sipas saj të gjithë ekipi kanë qenë nën moshën 22 -23 vjeç.

“Ka qenë shumë e vështirë ma së pari me i pa qato materiale e mandej me u mundu me i ritrametu”.

“Qëllimi gjithmonë ka qenë mos me zbutë por me bo të shfaqshëm”, tha ajo.

Ndërkaq ka shtuar se janë munduar ta bëjnë që storja të duket sa më origjinal.

“Storja bazë ka qenë storja e Betit mandej është dashtë që gjithçka me sill rreth asaj. Mandej ka qenë edhe storje personale dikush ka pasë nji foto t’prindve, bluzë ose diçka t’caktume e kemi shti edhe qata, dikush ka pasë një informatë, dikush ka banu te këto banesa, kështu që e kanë ditë ma saktë qysh janë dukë, kanë pasë fotografi të asaj kohe”, ka thënë Kokolli.

Filmi zgjat 4 minuta ndërsa për ta realizuar atë ekipit në përbërje prej shtatë personash i janë nevojitur katër muaj.

Intervistën e plotë të Flaka Kokollit dhënë për “Ora Shtatë”, mund ta ndiqni në linkun poshtë, nga minuta 12:15