Fillon gjykimi, Mustafa e mohon aktakuzën (VIDEO)

Fillon gjykimi, Mustafa e mohon aktakuzën (VIDEO)

NULL NULL
nga Rina Mujku 1 day më parë

Gestapo ishte emri me të cilin njihej policia sekrete e Gjermanisë naziste. Të tillë e sheh Salih Mustafa, edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Të paktën kështu iu referua kur në nisje të gjykimit të tij, që është edhe i pari në historinë e Speciales, u pyet nëse e pranon fajësinë.

“Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që më ngarkon kjo zyre e Gestapos”, deklaroi Mustafa në fjalën e tij hyrëse.

Për fjalën që përdori, ish komandant Cali do të qortohej më vonë, derisa me këtë tregoi se nuk ndjehet fajtor për gjithsej 4 pika, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Të gjitha pretendohet të jenë kryer midis 1 dhe 19 prillit 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në afërsi të maleve të Gollakut.  Kryeprokurori i zyrës që ia ngriti këtë aktakuzë, Jack Smith nuk e la t’i ikë mundësia të flasë në këtë seancë, e pati edhe një mirënjohje të veçantë për kosovarët.

“Si prokuror i specializuar kam kënaqësinë të ju drejtohem sot meqë fillojmë gjykimin e parë në këtë gjykatë. Dëshiroj të falënderoj secilin prej vendeve të BE-së dhe vendeve kontribuuese, bujaria e tyre e ka mundësuar këtë proces.”

“Nuk duhet të harrojmë se forca shtytëse e punës dhe zyrës që unë drejtoj është populli i Kosovës. Pa bashkëpunimin e shumë kosovarëve sot nuk do të kishim qenë këtu. Kjo është gjykatë kosovare por gjykatë për viktimat dhe me viktimat.”

Viktimat e Salih Mustafës që po i përmend Smith, del të jenë të gjithë shqiptarë. Ky tha se gjatë gjykimit të ish luftëtarit të UÇK-së do të japin fakte të bollshme se pse UCK trajtoi mizorisht njerëz vetëm pse nuk kishin pikëpamje të njëjta me UÇK-në, derisa natyrën e këtyre mospajtimeve e sqaroi më tepër prokurori që u morr vërtetë me çështjen, Cezary Michalczuk, i cili foli edhe për një rast që përfundoi me vdekje.

“Gjatë marrjes së tyre në pyetje të ndaluarit janë akuzuar se ishin spiunë, kolaboracionist me serbët ose hajdutë. Realiteti është që në fakt askush prej këtyre burrave nuk përbënte rrezik ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin ta nxirrnin jetesën duke shitur mallra në tregjet lokale, të tjerë ishin civilë faji i vetëm i të cilëve ishte se i përkisnin një partie tjetër politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, e cila perceptohej nga disa anëtarë të UCK-së si kundërshtare politike.”

Vetë Salih Mustafa e lëshoi sallën e gjykimit menjëherë pas pauzës së parë dhe nuk pati mundësi të dëgjojë atë që thanë mbrojtëset e viktimave, të cilat përmendën edhe ngritjen e UÇK-së në piedestal.