Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

FFK: Lusim UEFA-n që ndeshja e Dritës të zhvillohet me termin të ri, që të mos dëmtohet ekipi ynë

NULL NULL
11.08.2020 17:36

Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar anulimin e ndeshjes në mes të kampionit të Kosovës, Dritës dhe skuadrës nga Irlanda e Veriut, Linfield, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Sipas njoftimit të lëshuar nga FFK, thuhet se deri te anulimi i ndeshjes ka ardhur pasi një futbollist i Dritës ka rezultat pozitiv me pandeminë COVID-19, transmeton Klan Kosova.

Gjithashtu, federata kërkon nga UEFA që kjo ndeshje të zhvillohet me një termin tjetër me qëllim që mos të dëmtohet skuadra kosovare e Dritës.

Njoftimi zyrtar nga FFK:

“Ndeshja finale e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndërmjet kampionit të Kosovës, Dritës dhe kampionit të Irlandës së Veriut, Linfield, e paraparë për t’u zhvilluar sot në Nion në orën 18:00 është anuluar. Ky vendim është marrë pasi autoritetet shëndetësore të Zvicrës në bashkëpunim me UEFA-n kanë vendosur për karantimin e KF ‘Drita’, pasi një tjetër lojtar i kampionëve kosovarë ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Lojtari i cili rezultoi pozitiv, më parë kishte dalë negativ në testin e bërë më 7 gusht. Në njoftimin e UEFA-s tutje thuhet se i gjithë ekipi i KF ‘Drita’ ishte testuar negativ para ardhjes së tyre në Zvicër, mirëpo të premten një lojtar nga KF ‘Drita’ doli pozitiv në prag të ndeshjes kundër Inter Club d’Escaldes. Në përputhje me protokollin e UEFA-s ky lojtar u fut në karantinë, së bashku me një shok të skuadrës që kishte kontakt të ngushtë. Lojtari i dytë që rezultoi pozitiv kishte kontakt edhe me anëtarët e tjerë të delegacionit gjatë ditëve të fundit dhe kjo ka bërë që autoritetet zvicerane ta vendosin tërë skuadrën kosovare në karantinë. Për këtë arsye ndeshja nuk mund të zhvillohet, thuhet në njoftimin e UEFA-s. Tani kjo çështje do t’i paraqitet Organit të Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim në përputhje me shtojcën I të rregullores së Ligës së Kampionëve 2020/21 të UEFA-s, që është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s javën e kaluar.
Ndërkohë, FFK shpreson dhe beson që do të respektohet protokolli dhe rregulloret e UEFA-s në rastin e Covid 19, ku të infektuarit izolohen dhe të tjerët e vazhdojnë garën. Me këtë rast lusim UEFA-n dhe kërkojmë mirëkuptim që të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër me qëllim që mos të dëmtohet ekipi ynë”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.