Ferenc Kajari: Vendimi për anëtarësim, në dorën e Këshillit Veri-Atlantik – KFOR kontribuon të sigurojë ambient për dialogun e ndërmjetësuar nga BE - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ferenc Kajari: Vendimi për anëtarësim, në dorën e Këshillit Veri-Atlantik – KFOR kontribuon të sigurojë ambient për dialogun e ndërmjetësuar nga BE

NULL NULL
nga Liridon Zeqiri 1 week më parë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, ka thënë se është momenti që të bëhen hapa para në dialogun Kosovë-Serbi, që të vihet tek marrëveshja përfundimtare.

Ai këtë e ka thënë kur është pyetur nëse është koha e duhur që Kosova të anëtarësohet në NATO, derisa ka pasur paralajmërime për aplikim në këtë aleancë ushtarake.

Kajari në një intervistë për KlanKosova.tv, ka theksuar se nga dialogu në mes të dyja vendeve varet edhe siguria rajonale.

“Ky është momenti i duhur për të bërë hapa të rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, me synim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe është çelësi për stabilitet të mbarë rajonit, pavarësisht nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës”, është shprehur ai, derisa ka shtuar se vendimi për anëtarësimin e Kosovës ose jo është në dorën e Këshillit Veri-Atlantik që funksionon në kuadër të NATO-s.

Më tej, komandanti hungarez i misionit të KFOR-it ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe një pike që ia ndalon asaj shkuarjen në pjesën veriore pa miratimin e tij.

“NATO pret që autoritetet lokale të vazhdojnë të respektojnë zotimet ekzistuese për dërgimin e FSK-së”, thekson ai kur pyetet nëse gjatë mandatit të tij mund të ndryshojë diçka sa i përket kësaj çështjeje.

Kajari në intervistë flet edhe për bashkëpunimin me institucionet e sigurisë në Kosovë, nevojën e pranisë së KFOR-it, ndikimin e luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe sigurinë aktuale në këtë pjesë të Evropës që ai e lidh me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

INTERVISTA E PLOTË:

Kosova sapo ka shënuar 23-vjetorin e çlirimit nga Serbia. 23 vjet shënon edhe KFOR prej ekzistimit. Ju ndonëse sapo jeni emëruar në pozitën e komandantit, na flisni se si kanë qenë këto 23 vjet për KFOR-in?

Ferenc Kajari:  Më 1999, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja u përball me një ambient sfidues të sigurisë në Kosovë. Shumë çështje ekzistonin në atë kohë, duke përfshirë kërcënimin e konfliktit të armatosur dhe municionit të pashpërthyer, mungesës së ujit e energjisë elektrike dhe pengesave të ashpra të lirisë së lëvizjes. KFOR-i në bashkëpunim të ngushtë me aktorët tjerë ndërkombëtarë, rivendosi rendin dhe sigurinë dhe si rrjedhojë kontribuoni jashtëzakonisht shumë në zhvillimin progresiv të një Kosove stabile, multietnike dhe demokratike.

Këtë e bëri nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, e cila vlen edhe sot. Pas 23 vjetësh, situata është shumë ndryshe falë angazhimit të fuqishëm të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për një Kosovë paqësore, dhe zhvillimit të madh të organizatave të sigurisë në Kosovë.

Si rezultat, KFOR-i ka reduktuar kapacitetet e tij nga 55,000 ushtarë më 1999 në 3,700 ditët e sotme. Sot, KFOR mbetet i përqendruar plotësisht në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së. 28 vende (përfshirë 20 vende anëtare të NATO-s dhe 8 partnerë) aktualisht kontribuojnë në KFOR.

Çfarë mund të llogaritet si suksesi më i madh për këtë periudhë dhe na thoni se sa është numri i ushtarëve të misionit që kanë humbur jetën në Kosovë gjatë shërbimit?

Ferenc Kajari: Suksesi më i madh i KFOR-it është vlerësimi i lartë në Kosovë dhe përreth rajonit i rolit të pranisë së NATO-s në Kosovë. Ka mirënjohje për kontributin e zellshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, dhe stabilitetit të rajonit.

Ta mbajmë këtë sukses është qëllimi im, gjithashtu, ruajtja e këtyre vlerave deri në fund të komandës sime në mënyrë që komandanti i ardhshëm të mund ta vazhdojë këtë mision të rëndësishëm në mënyrën më të mirë.

Fakti që ne jemi shumë kombe këtu nga vendet aleate të NATO-s – si dhe disa partnerë – shfaq forcën e misionit tonë. Kjo demonstron angazhimin e shumë kombeve për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më lejoni ta shfrytëzoj këtë rast për të nderuar besnikërinë dhe trimërinë e ushtarëve tanë të rënë, guximin e burrave dhe grave që humbën jetët e tyre, për të garantuar stabilitetin e rajonit që nga viti 1999.

Për 23 vjet nga çlirimi, Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 ku dhe ka konsoliduar institucionet e saj, përfshirë ato të sigurisë, si policinë dhe ushtrinë që ka nisur transformimin. Në këtë kontekst, pse është e nevojshme që në Kosovë të jetë i pranishëm ende KFOR?

Ferenc Kajari: Ballkani Perëndimor është një rajon i rëndësisë strategjike për NATO-n. Në mjedisin e sotëm me rrezikshmëri më të lartë dhe të paparashikueshëm të sigurisë, ruajta e stabiliteti të rajonit është çelësi për ta ruajtur sigurinë në të gjithë Evropën dhe në të gjithë zonën Euro-Atlantike në përgjithësi.

Prania e KFOR-it sot e reflekton angazhimin e fuqishëm të NATO-s. Mjedisi i sigurisë ka ndryshuar dallueshëm që prej përfundimit të 90-ave. Nga atëherë, forcat e NATO-s kanë ndihmuar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Organizatat e sigurisë në Kosovë kanë pësuar një zhvillim mbresëlënës, përfshirë mbështetjen e NATO-s dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës sot është përgjegjësi kryesor i sigurisë. Si përgjegjës të tretë të sigurisë, EULEX, KFOR janë gati për të ndërhyrë për ta ruajtur sigurinë e mjedisit në Kosovë sipas nevojës nëse situata përkeqësohet. Kjo në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Zgjidhja sidoqoftë është ajo politike. NATO mbështet fuqishëm dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE dhe përpjekjet me synim të normalizim të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Përbrenda mandatit të tij, KFOR kontribuon në sigurimin e një ambienti të sigurt ku negociatat politike mund të përparojnë.

Pjesa veriore e vendit njihet si pikë me më tension, por vitin e fundit atje ka pasur disa aksione të policisë së Kosovës kundër krimit dhe kontrabandës. Ndërkohë në këtë pjesë nuk mund të shkelin ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pa lejen e KFOR. A vlerësoni se në kohën tuaj mund të bëhet diçka që kjo praktikë të ndryshohet dhe sa besoni se është absurd që një ushtri të mos mund të shkelë në çdo cep të territorit të saj?

Ferenc Kajari: Zbatueshmëria e ligjit është përgjegjësi e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës përmbush mandatin e saj në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë pjesën veriore të Kosovës. Atyre nuk ju duhet ndonjë autorizim nga KFOR. Kjo vlen edhe për Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës (e njohur si Njësia Operacionale Rajonale apo Njësia Mbështetëse Operative). Më lejoni që ta shfrytëzoj rastin të vlerësoj bashkëpunimin e mirë ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

NATO vazhdon të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës nën mandatin e tyre origjinal, përfshirë ndërtimin e kapaciteteve nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), i cili është entitet i ndarë i udhëhequr nga misioni i KFOR udhëhequr nga NATO. NATO pret që autoritetet lokale të vazhdojnë të respektojnë zotimet ekzistuese për dërgimin e FSK-së. Përparimi në dialogun Beograd-Prishtinë është shumë me rëndësi, pasi kjo do të kontribuojë në ndërtimin e besimit dhe stabilitetit të projektit.

FSK thamë se e ka nisur procesin e transformimit. Ushtarët e Kosovës vitin e fundit kanë marrë pjesë nëpër stërvitje bashkë me ushtarët e shteteve të tjera të NATO-s. A nënkupton kjo edhe për ju se FSK është ushtri në kuptimin e plotë të fjalës, duke i ditur edhe kapacitetet e saj?

Ferenc Kajari: NATO vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit origjinal të saj. Si Komandant i KFOR-it, nuk jam në pozicion për të komentuar stërvitjet individuale të drejtuara nga aleatët e NATO-s.

Por mund të theksoj se KFOR suksesshëm ka bashkëpunuar me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe organizatat tjera të sigurisë në Kosovë në disa përsëritje të stërvitjeve të KFOR-it, si Silver Sabre, të cilat testojnë kapacitetet e Kosovës në menaxhimin e emergjencave.

I çfarë niveli është bashkëpunimi i KFOR me institucionet e Kosovës prej ardhjes suaj në krye të komandës së KFOR?

Ferenc Kajari: Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është i shkëlqyer dhe unë mbaj marrëdhënie të afërta me një gamë të gjerë bashkëbiseduesish, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve kosovare, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës.

Prania e NATO-s në Kosovë mbulon gjithashtu përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve me organizatat e sigurisë në Kosovë, duke përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj fillestar, përmes Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT). NALT, është entitet i ndarë nga KFOR, udhëhequr nga NATO – është ekip prej mbi 40 pjesëtarëve ushtarakë dhe civilë, që vjen nga 13 vende aleate dhe partnere.

Ekipi ofron ndihmë dhe këshilla praktike për organizatat e sigurisë në Kosovë nga niveli ekzekutiv deri tek ai i nivelit të forcës në fusha si logjistika, prokurimi dhe financat, planifikimi sikurse edhe zhvillimi

Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar aplikimin për anëtarësim në NATO. Cili është vlerësimi juaj, a është koha e duhur të ndodhë kjo derisa tash në Evropë ka shpërthyer një luftë (Pushtimi i Ukrainës nga Rusia)?

Ferenc Kajari: Ky është momenti i duhur për të bërë hapa të rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, me synim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe është çelësi për stabilitet mbarë rajonit, pavarësisht nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Kriteret për anëtarësim në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit. Të gjitha vendimet e NATO-s – përfshirë ato që lidhen me anëtarësim – merren nga Këshilli Veri-Atlantik (organi i vetëm vendimmarrës i NATO-s) me votim unanim.

Në kuadër të KFOR shërbejnë edhe paqeruajtësit ukrainas. Sa është numri i tyre dhe a pritet që ata të tërhiqen për të shkuar për ta mbrojtur shtetin e tyre që ndodhet nën okupim?

Ferenc Kajari: Duhet t’u drejtoheni autoriteteve në Ukrainë për çdo koment mbi ridërgimin e trupave të Ukrainës në KFOR. Në këtë çast, kontingjenti ukrainas me 40 trupa vazhdon të shërbejë si pjesë e misionit të KFOR të udhëhequr nga NATO sipas mandatit të OKB-së. Unë e vlerësoj lart kontributin e tyre të gjatë në përpjekjet tona.

Lufta në Ukrainë sa e rrezikon paqen në Ballkanin Perëndimor ku bën pjesë edhe Kosova dhe duke e ditur se në rajon ka një aleat rus që është Serbia, që vazhdon të mos vendosë sanksione ndaj Moskës?

Ferenc Kajari: Situata e sigurisë rajonale është stabile dhe ne jemi duke monitoruar atë nga afër. KFOR mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë, duke punuar ngushtë për bashkëpunim me organizata lokale dhe ndërkombëtare të sigurisë. Në përputhje me mandatin e vetë të OKB-së, KFOR është i gatshëm të miratojë masa të menjëhershme të nevojshme për ta mbajtur Kosovën e sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX.

NATO respekton në plotësisht politikën e deklaruar nga Serbia për neutralitet ushtarak. KFOR mban marrëdhënie të forta me Forcat e Armatosura të Serbisë,  duke përfshirë takimet e mia të rregullta me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosur të Serbisë (gjeneral Milan Mojsiloviq) dhe përmes patrullimeve të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative.

Serbia vazhdimit mban stërvitje ushtarake përreth kufirit me Kosovën. A ka shtuar KFOR sigurinë përgjatë vijës kufitare me Serbinë?

Ferenc Kajari: Prania dhe angazhimi i KFOR-it në Kosovë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar përmes misionit tonë të KFOR-it, i cili kontribuon për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë  – për të gjithë qytetarët – dhe për një stabilitet të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Çfarëdo ndryshimi në qëndrimin e forcës tonë, KFOR bazohet në kushte dhe jo drejtuar nga kalendarët. Çelësi është mbajtja e dialogut dhe ndërgjegjësimit të ndërsjellë për situatën./KlanKosova.tv./