10:55, 27 Qershor 2019

Kosova zë vendin e parë në Evropë për përdorimin e antibiotikut “Ceftriaksion” (përdoret për infeksione bakteriale).

Edhe pse vazhdimisht flitet për rrezikun nga antibiotikët, kosovarët vazhdojnë t’i përdorin në mënyrë të pakontrolluar. Gjithë kjo për faj të përshkrimeve të këtyre antibiotikëve që ua bëjnë mjekët pacientëve. Nga 47 shtete të ndryshme Kosova ka zënë vendin e 19-të sa i përket konsumimit të përgjithshëm të antibiotikëve, njofton Klan Kosova.

Gjatë stinës së dimrit, kur rritet numri i pacientëve të prekur me grip sezonal, rritet edhe përdorimi i antibiotikëve. E ata që përdorin më shumë antibiotikë janë fëmijët.

Fatos Aliu, farmacist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se janë të furnizuar vetëm me antibiotikë për fëmijë.

Sipas tij, kërkesa për antibiotikë ka më shumë gjatë periudhës së gripave.

”Ne jemi të furnizuar vetëm me antibiotikë për fëmijë. Kërkesa ka më shumë kur është koha e gripave, zakonisht dimrit. Tani bie kërkesa e tyre. Në barnatore kemi tri lloje, ndoshta edhe më shumë, me të cilat jemi të furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Aliu ka thënë se kur fëmijët janë të prekur me viruse duhet të mos përdorin antibiotikë, pasi që sipas tij ata nuk janë të preferueshëm.

”Ata nuk janë të preferueshëm. Vazhdimisht po kemi informata se sa kanë veprime negative dhe sa e dobësojnë edhe imunitetin e pacientit. Zakonisht fëmijët kur janë viruset të trajtohen në një formë tjetër, pa përdorur antibiotikë. Ata munden të hyjnë në përdorim kur virusi të kalojë në një fazë më të rëndë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pacientëve u japin antibiotikë vetëm atëherë kur kanë recetë të mjekut, njofton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë