Lajmet e fundit

Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve “FemArt”, fillon sonte dhe do të vazhdojë deri më 30 shtator 2026, në Prishtinë.
Me moton “Përqafo të Panjohurën”, FemArt 14 e vendos artin në këtë prag të së panjohurës; mes asaj që është dhe asaj që mund të bëhet; mes kujtesës dhe së ardhmes; mes trupit që trashëgon dhe trupit që zgjedh; mes zërit që është dëgjuar dhe atij që ende kërkon hapësirë.
Programi përfshin teatër, cirk, filma, koncerte, libra, diskutime dhe punëtori, ndërsa aktivitetet zhvillohen në Teatrin Dodona, Kino ARMATA, Stacionin Kulturor, Institutin Francez, Bibliotekën Kombëtare, si dhe lokacione të tjera.
Për gjashtë ditë ky festival mirëpret artistë, aktivistë dhe profesionistë të kulturës nga Austria, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Franca, Greqia, Kosova, Luksemburgu, Qipro, Serbia, Sllovenia, Shqipëria e Zvicra./KlanKosova.tv