Familja Jashari mbështet rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Familja Jashari mbështet rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin

NULL NULL
18/05/2015
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, familja e heroit Isa Boletini dhe qytetarët e Mitrovicës, kanë marrë mbështetjen edhe të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, për rivarrimin e eshtrave të heroit Boletini, në vendlindjen e tij në Boletin.

Në një takim që kishte sot me Rifat Jasharin në Prekaz, kryetari Bahtiri mori mbështetje të plotë në përpjekjet që po bën për të realizuar në mënyrë sa më madhështore e dinjitoze rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.

“Unë nuk do të pajtohesha që ndonjë anëtar i familjes time të varroset jashtë vendlindjes, kur për këtë ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, qëndrimin e familjes tonë lidhur me këtë çështje do ta bëjë të ditur Murati”, tha Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Edhe Murat Jashari, duke e bërë të ditur qëndrimin zyrtar të familjes Jashari lidhur me këtë, ka thënë se familja e tij mbështet vendimin e kryetarit Agim Bahtiri e të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, si dhe kërkesën e familjes së Isa Boletinit e të qytetarëve të Republikës së Kosovës e më gjerë, që rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini, të bëhet në vendlindjen e tij në Boletin, e jo gjetiu.

Edhe gjatë ditës së hënë, shumë intelektual të njohur, pjesëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të fshatrave të Shalës së Bajgorës e më gjerë, i kanë dhënë mbështetje të fuqishme kryetarit Bahtiri, si në takime të drejtpërdrejta, ashtu edhe përmes telefonit, por edhe familjes së heroit Isa Boletini, që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që ky personalitet i shquar i kombit të rivarroset larg vendlindjes së tij.

Ndërsa, Agim Bahtiri edhe sot ka thënë se është i bindur se Qeveria e Kosovës do të anulojë vendimin e Këshillit Organizativ, që vet e ka formuar, për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini në Vlorë.

Sipas tij, qeveria së bashku me institucionet tjera të vendit dhe ato komunale, do të përgatisin ashtu si duhet ceremoninë e rivarrimit të kësaj figure të madhe të shqiptarisë, në vendlindjen e tij në Boletin.