Fabula edukative nga "Fjalimi i Mbretit"

Fabula edukative nga “Fjalimi i Mbretit”

NULL NULL
1 javë më parë

Filmi “Fjalimi i mbretit” doli në kinema më 2010 dhe një vit më pas u shpërblye me Oskar dhe  BAFTA për filmin më të mirë.

Ai flet për Princin Albert të Mbretërisë së Bashkuar, i cili belbëzon teksa flet para të pranishmëve në stadiumin “Wembley”.

Ndërkohë, gruaja e tij, Elizabeta, e këshillon që ta vizitojnë Lionel Logue-n, një terapist që merret me këto defekte, dhe Logue fillimisht kërkon nga Princi Albert që ta recitojë monologun e famshëm të Hamletit, “të jesh apo të mos jesh”.

Xhorxhi i Pestë lyp nga biri i tij i dytë që ta lexojë përmes radios një mesazh mbretëror për Krishtlindje, dhe kjo detyron princin që ta vazhdojë terapinë ndonëse nuk e ka për qejf.

Mirëpo, princi dëgjon të folurën e tij pa ndalesa nga një regjistrim që Logue ia kishte bërë kur ai po e thoshte monologun e Hamletit, dhe kjo i jep kurajo.

Pas vdekjes së Mbretit, dhe abdikimit të Mbretit Edward të Tetë si pasojë e martesës së tij me amerikanen Wallis Simpson, Princi Albert ngjitet në fron me emrin Xhorxhi i Gjashtë.

Këshilltarët e mbretit ia bëjnë me dije atij që Logue nuk është i thirrur e as i certifikuar për trajnime të tilla, dhe kjo e zemëron këtë të fundit.

Mirëpo, Logue e konfronton të parin e Mbretërisë se atëkohë nuk kishte mundësi të edukimit formal, dhe krejt përvojat e tij vijnë nga ushtarët australianë që ktheheshin në shtëpi të traumatizuar.

Princit i kthehet mendja në një moment klimaktik të filmit kur ai përplaset me Logue-n dhe gjatë të këtij momenti e vëren se nuk ka belbëzuar.

Kur princi po përgatitej t’i flasë popullit në kohën kur Perandoria e tyre do të deklaronte luftë kundër Gjermanisë Naziste, Logue-n e marrin në pallatin mbretëror “Buckingham” që ta trajnojë mbretin, i cili arrin ta përfundojë fjalimin me sukses.

Profesori i Gjuhës Shqipe, Rrahman Paçarizi, e konsideron këtë film si një shembull pozitiv se si fëmijët që kanë problem me belbëzim mund t’ia dalin përballë këtij mundimi.

“Unë e kam gjetur edhe një dimension edukativ te ky film – një dimension i cili duhet të përthithet nga njerëzit në kohët e sotme kur fëmijët kanë shumë telashe me të folurit për shkak të mungesës së komunikimit dykahësh”, thotë Paçarizi në KultOra.

“Filmi është i ndërtuar mbi baza absolutisht shkencore me rezultatet më të fundit të studimeve të cilat merren me këtë fushë”.

Më poshtë mund ta dëgjoni komentin e plotë të Paçarizit:

 

Në intervistën “Një libër, një film, një këngë”, mysafirët ftohen të flasin për një libër që s’e kanë lexuar më parë, për një film që s’e kanë shikuar më herët, si dhe për një këngë që nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë.

Pasi të jenë njoftuar me këto tri vepra, ata vijnë dhe i japin përshtypjet e tyre të përgjithshme mbi to, duke u synuar kështu dhënia e një interpretimi të freskët dhe autentik për këto krijime artistike.

Emisioni KultOra shfaqet çdo të shtune në Klan Kosova nga ora 14:15.