Lajmet e fundit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ka konfirmuar zyrtarisht dorëheqjen nga detyra, pas rreth një viti në qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Në një reagim të publikuar pas njoftimit për largimin e saj, Sala bën me dije se sot ka marrë pjesë për herë të fundit në mbledhjen e kabinetit qeveritar. Ajo sqaron se largimi lidhet me pranimin e disa angazhimeve të rëndësishme ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës, mes tyre onkologjia, inteligjenca artificiale dhe inovacioni. Sala ka falënderuar kryeministrin Rama, punonjësit e sistemit shëndetësor dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa thekson se angazhimi i saj për Shqipërinë do të vijojë edhe pas largimit nga posti ministror.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.
I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë", tha ajo, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.