“Europa Nostra” vendos Manastirin e Deçanit në listën e 12 monumenteve më të rrezikuara në Europë (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 13.12.2020 20:44 nga Haris Ademi 13.12.2020 20:44 Është monumenti i vetëm në Europë që mbrohet ushtarakisht për 20 vjet me radhë. E janë problemet e mëhershme dhe aktualet të Manastirit të Deçanit që e kanë radhitur këtë objekt fetar si njërin nga 12 monumentet më të rrezikuara të Europës për vitin 2021, njofton Klan Kosova. Ky numër pritet të ngushtohet në shtatë, pasi të vlerësohen nominimet nga organizata ”Europa Nostra”. Në përshkrimin e organizatës që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, thuhet se faltorja ortodokse e Deçanit është sulmuar pesë herë që nga paslufta. Ndërsa si një nga rreziqet kryesore paraqitet plani për ndërtimin e autostradës Deçan-Plavë skaj objektit, ani pse nuk përmendet që për këtë çështje tashmë ekziston një marrëveshje mes manastirit dhe institucioneve kosovare. Tutje kritikohet Komuna e Deçanit se po tenton të shpronësojë tokat e mbrojtura me Ligjin e Kosovës, teksa sinjal rreziku vihet edhe tek mundësitë e ndërtimeve të objekteve të mëdha urbane në afërsi të Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Igumeni Sava Janjiq, i është gëzuar këtij nominimi, duke shpresuar se kjo do ta vë në pah rëndësinë e mbrojtjes së këtij monumenti. Paneli Këshillëdhënës që do ta bëjë përzgjedhjen e listës së ngushtë citohet të ketë thënë se ”Manastiri i Deçanit ka mbetur peng i statusit të pazgjidhur të Kosovës”, fjali kjo që në artikull pason me fusnotë. Krerët institucionalë të Kosovës, kanë hasur shpesh në mospajtimin e klerikëve serbë të faltores së mbrojtur nga UNESCO, lidhur me tema të ndryshme lokale e nacionale. Zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, konsideron se qasja e ”Europa Nostra”-s është e njëanshme pasi nuk ka marrë fare qëndrimin e Prishtinës zyrtare. ”Kjo vjen si pasojë e bllokadës që Manastiri i Deçanit i bënë projektit të rrugës nacionale që lidhë Kosovën me Plavën, e për të cilën ndërkohë palët janë dakorduar për një zgjidhje që me asgjë nuk e cenon Manastirin”. ”Pra, si e tillë, qasja e kësaj organizate është e mbështetur në propagandë antiKosovë dhe jo në fakte. E vërteta është se Manastiri i Deçanit është shumë i sigurt”, thotë ai në një përgjigje për Klan Kosova. ”Europa Nostra”, që ka mbi 200 anëtarë gruporë e individualë, deri më tash ka publikuar pesë herë listën me shtatë monumentet e Trashëgimive Kulturore më të rrezikuara në Europë. Për 2021-tën, në listë janë edhe Zyra e Postës Qendrore në Maqedoninë e Veriut, Teatri Modern i Bullgarisë dhe Kompleksi i Varrezave të Mirogojit në Kroaci. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Austria me “non-paper” propozon integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor 10 orë më parë