EURACTIV: Komisioni Evropian kritikon Vuçiqin për lëvdatat ndaj Millosheviqit - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

EURACTIV: Komisioni Evropian kritikon Vuçiqin për lëvdatat ndaj Millosheviqit

NULL NULL
10/09/2018

Platforma evropiane mediatike “EURACTIV” i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku ka bërë të ditur se Komisioni Evropian ka kritikuar presidentin serb, Aleksander Vuçiq, për lëvdatat e tij ndaj Slobodan Millosheviqit i cili konsiderohet si fajtori kryesor për luftërat në ish Jugosllavi.

Agjencia e lajmeve shkruan se gjatë një vizite në ish-krahinën serbe të Kosovës, Vuçiq ka dhënë një fjalim të zjarrtë para serbëve të Kosovës, duke rënë në kundërshtim me përpjekjet e Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje të pajtimit midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Millosheviq ishte një lider i madh serb, qëllimet e të cilit ishin sigurisht për të mirë, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta. Jo sepse ai e dëshironte këtë, por sepse dëshirat tona ishin joreale, ndërsa neglizhonim dhe nënvlerësonim interesat dhe aspiratat e kombeve të tjera” ka thënë Vuçiq.

“Për shkak të kësaj, kemi paguar çmimin më të madh dhe më të rëndë. Nuk jemi bërë më të mëdhenj” ka shtuar presidenti serb, shkruan EURACTIV, transmeton Klan Kosova.

Platforma mediatike ka cituar Maja Kociančič e cila është zëdhënëse e shefes për punë të jashtme të BE-së, kur është pyetur nga gazetarët për të komentuar deklaratat e Vuçiqit në veri të Mitrovicës.

“Pajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë të mundshme vetëm nëse tejkalohen politikat e së kaluarës, që rezultuan në një dekadë mjerimi dhe vuajtje në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne nuk duhet të krijojmë hapësirë për ata që i mbështesin këto politika apo veprime”, është përgjigjur Maja Kociančič.

Sipas EURACTIV, ajo nuk ka përmendur Vuçiqin me emër, por mesazhi ishte i qartë.

Kociančič gjithashtu ka cituar Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke thënë se “nacionalizmi kurrë nuk ka zgjidhur, por vetëm ka krijuar probleme”