EULEX i jep 82 mijë euro për ata që kanë informacione për autorët që vranë doganierin e tyre

EULEX i jep 82 mijë euro për ata që kanë informacione për autorët që vranë doganierin e tyre

NULL NULL
2 muaj më parë

19 shtatori është datë tragjike për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë i njohur si EULEX.

Më këtë datë shtatë vite më parë, zyrtari doganor i EULEX-it Audrius Šenavičius ishte qëlluar për vdekje nga persona të panjohur në pjesën veriore të Kosovës gjersa kishte qenë duke udhëtuar me veturë për në punë.

Autorët e asaj vrasje ende nuk janë identifikuar.

Në nderë të kujtimit për të, Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankovic, dhe Zëvendëskryetari i Zveçanit, Nenad Popović vizituan sot vendin ku Audriusit i ishte marrë jeta dhe vendosën një kurorë tek përmendorja e tij.

“Sot ne qëndrojmë këtu në vendin ku kolegu ynë Audrius Šenavičius nga Lituania ishte vrarë para plot shtatë viteve”.

“Ky krim ende nuk është zbardhur. Përkundër hetimeve të gjata, fillimisht nga vet EULEX-i, vrasja vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Kur EULEX-i përfundoi mandatin e tij ekzekutiv në sektorin e drejtësisë në vitin 2018, lënda e këtij rasti të vrasjes është dorëzuar tek autoritetet prokuroriale të Kosovës. Ato tani janë duke e ndjekur rastin por ende pa rezultate. Kjo është arsyeja se përse sot unë i bëj thirrje çdo personi që ka informata rreth këtij rasti, çdo personi që di ndonjë gjë për atë se çka ka ndodhur këtu shtatë vite më parë, që të del përpara dhe të shpjegojë atë që ka ndodhur. Anonimiteti juaj do të jetë i garantuar. Për informata që do të shpijnë në zgjidhjen e rastit po ashtu do të jepet edhe shpërblim financiar i konsiderueshëm. Por kjo nuk ka të bëjë me para, kjo ka të bëjë me drejtësi dhe një shembull tjetër i mosndëshkueshmërisë. Drejtësia nevojitet për familjen e viktimës, për të gjithë këtu në Kosovë, për rajonin, si dhe për Bashkimin Evropian”.

Gjatë ceremonisë për vendosjen e kurorës, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Janković, tha se Audrius e dha jetën duke i shërbyer popullit të Kosovës.

“Ne ndjejmë respekt për kolegun tonë Audrius, si për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që ka humbur jetën e vet duke i shërbyer popullit të Kosovës. Të veshur me uniformë policie, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet nëpër të cilat kalojmë, sepse është nder që t’i shërbejmë popullit, por humbja e jetës së një kolegu i cili erdhi nga Lituania për të na ndihmuar ne këtu në Kosovë është edhe më e rëndë. Ne, zyrtarët e Policisë së Kosovës do të jemi përjetësisht mirënjohës për mbështetjen e tij, si dhe për sakrificën që e bëri ai, e ajo ishte jeta e tij”.

“Andaj, ne e kemi një përgjegjësi edhe më të madhe për të bërë çdo përpjekje për gjetjen e autorëve të këtij krimi dhe t’i sjellim ata para drejtësisë”.

EULEX-i i bën thirrje çdo personi që mund të ketë informata të cilat mund t’i dalin në ndihmë policisë që të paraqitet.

Misioni ofron një shpërblim prej 82 mijë euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e autorit (autorëve) të kësaj vrasje.

Për detaje rreth raportimit të ndonjë informate lidhur me vrasjen e Audrius, ju lutem të kontaktoni +383 38 284 181 ose të vizitoni faqen tonë të internetit:

https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,57