Lajmet e fundit

Parlamenti i Estonisë ka zgjedhur të mërkurën juristen kushtetuese Ulle Madise si presidente të re të vendit, duke e bërë atë gruan e dytë që mban këtë post kryesisht ceremonial.
Madise, 51-vjeçare, ka shërbyer që nga viti 2015 si kancelare e drejtësisë dhe do ta mbajë detyrën e presidentes për pesë vjet.
Estonia, vend me rreth 1.4 milion banorë dhe fqinj me Rusinë, është një prej mbështetësve më të fuqishëm të Ukrainës dhe kritikëve të Moskës brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Vendi baltik këtë vit ka planifikuar të shpenzojë 5.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, duke qenë ndër vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në të dyja organizatat.
Presidenti i Estonisë zgjidhet nga parlamenti, ndërsa Madise ishte kandidate e vetme pasi asnjë kandidat tjetër nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Ajo do ta pasojë Alar Karisin, i cili nuk kërkoi një mandat të dytë.
Madise bëhet vetëm gruaja e dytë presidente në historinë e Estonisë, pas Kersti Kaljulaid, e cila e drejtoi vendin nga viti 2016 deri më 2021.