Energjia efiçiente për rritje ekonomike? - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Energjia efiçiente për rritje ekonomike?

NULL NULL
25/07/2022

Kriza energjetike duket të jetë e pashmangshme edhe gjatë këtij dimri.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi në një intervistë të shkurtër tha se kontrolli dhe ulja e kërkesës për energji është politika e parë dhe kryesorja në rrafshin afatshkurtër dhe paralelisht të investohet në pajisje me energji efiçiente,  energji e cila ndikon drejtëpërdrejtë në uljen e shpenzimeve dhe në rritjen ekonomike.

Ai mes tjerash thotë se efiçiena ka ndërlidhje të drejtëpërdrejtë me rritjen ekonomike. Sipas Ejupit duke zvogëluar intensitetin energjetik, qytetarëve u rritet fuqia blerëse, ndërsa sektorit të biznesit dhe industrisë u ulet kostoja si dhe iu shtohen kapacitetet investuese.

 INTERVISTA E PLOTË:

 Kosova është zotuar se do të ketë një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, i integruar në tregun PanEvropian, që garanton siguri të furnizmit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët. A jemi duke punuar mjaftueshëm në këtë drejtim?

Burim Ejupi: Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka sjellë një draft të Strategjisë së Energjisë që ka përkthyer këtë zotim në një përkushtim me afat për dekarbonizim deri në vitin 2050. Gjithashtu, ka filluar puna për hartimin e Strategjisë Afatgjate të Dekarbonizimit që do të përcaktoj edhe nivelin e çmimit të karbonit dhe incentivat financiare e politike për rrugën e dekarbonizimit. Një ligj për Burime të Ripërtrishme të Energjisë është duke u bërë ndërsa gjithashtu është në fillim të punës edhe grupi për hartimin e Ligjit të ri për Performancën Energjetike të Ndërtesave dhe gjithashtu ende nuk e kemi miratuar Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë. Ka shumë “do të“ në aktivitetet e Qeverisë për rrugën e dekarbonizimit. Dinamika është tejet e ngadaltë dhe vendimmarrja po merr shumë kohë. Në fushën e burimeve të ripërtrishme, përveç vonesave në hartimin e Ligjit, jemi vendi i vetëm në rajon që s’ka organizuar ende ankande për tërheqje të investimeve. Në fushën e efiçiencës nuk kemi bërë sa duhet në nxitjen e kursimit të energjisë dhe në fuqizimin e Fondit për Efiçiencën e Energjisë. Pra, në përgjithësi përkushtimi ekziston por dinamika dhe rezultatet janë shumë të ngadalta dhe që nuk garantojnë që do ta kemi hapin e duhur në dekarbonizmimin deri në vitin 2050.

Konsumi i energjisë në vend është i lartë dhe në rritje të vazhdueshme duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike dhe shtimin e popullsisë. Një fenomen i tillë rrjedh si pasojë e mungesës së masave të efiçiencës së energjisë dhe mos zbatimit të standardeve të ndërtimit. A ka ndonjë masë stimuluese të efiçiencës së energjisë momentalisht në vend?

Burim Ejupi: Ka një Fond të Efiçiencës që ende është vetëm në fazën e fillimit të rreth 70 projekteve të para. Ky Fond nuk targeton sektorin privat por vetëm sektorin e ndërtesave publike. Një stok i performancës energjetike të ndërtesave ende mungon dhe gjithashtu nuk janë ndërlidhur arsimi profesional dhe programet  e trajnimit me kërkesat e efiçiencës. Incentivat fiskale janë tejet të pakta dhe me çmimet relativisht të ulta të energjisë elektrike (e të subvencionuara), nxitja për investime private ka qenë relativisht e vogël. Ndonëse është miratuar udhëzimi administrativ për Esco kompanitë, mjedisi i politikave publike dhe mungesa e vetëdijësimit u ka pamundësuar atyre të futen në treg me dinamikën që nevojitet. Ende nuk e kemi një Kod unik të ndërtimit dhe sektori në përgjithësi është zhvilluar në një mjedis ku kapacitetet inspektuese janë të vogla dhe kërkesa për ndërtim është e madhe. Edhe sektorët e transportit, bujqësisë dhe industrisë në përgjithësi nuk janë incentivuar për të rritur efiçiencën, reduktuar ndotjen dhe për të decentralizuar prodhimin e energjisë.

Konsumi i tepërt dhe i panevojshëm i energjsë elektrike në amvisëri është në shkallë të lartë në Kosovë. Në treg ka pajisje elektrike efiçiente por shumë pak ju bëhet reklamë. Çfarë stimuj duhet shteti të bën me qëllim që të rrit vetëdijësimin dhe të lehtësoj blerjen e këtyre pajisjeve?

Burim Ejupi: Duhet që fillimisht të zbatohet plotësisht rregullativa sa i takon performancës energjetike dhe etiketimit të pajisjeve. Përveç kësaj, duhet të ketë inspektime të konformitetit të standardeve me ato që proklamohen. Vetëm kur të mbrohen konsumatorët nga praktikat e padrejta tregtare dhe të verifikohen konformiteti i standardeve të proklamuara me normat e tyre, mund të kalojmë në masat fiskale dhe politike të përkrahjes. Rekomandimi ynë është që taksat doganore dhe taksat e tjera të ndërlidhen me performancën energjetike dhe të jenë regresive paralelisht me nivelin e harxhimit të energjisë të pajisjeve dhe gjithashtu të punohet në vetëdijësimin e sektorit të amvisërisë për rëndësinë e përdorimit të pajisjeve efiçiente.

Çfarë rëndësie ka energjia efiçiente në kohë krize energjetike?

Burim Ejupi: Në kohën kur kriza e çmimeve është e dukshme, kontrolli dhe ulja e kërkesës për energji është politika e parë dhe kryesorja në rrafshin afatshkurtër. Përmes uljes së kërkesës për energji, ulet nevoja për import me çmime të larta dhe bëhet më e lehtë që sektori të gjejë alternativa ndërkohë që përballon periudha të krizave. Gjithashtu, efiçienca i mundëson kapaciteteve gjeneruese vendore që të mos mbingarkohen dhe të rrezikojnë prishjet teknike. Përmes efiçiencës gjithashtu ulet kostoja e përgjithshme e shpenzimeve për energji dhe mbrohet mjedisi veçanërisht mjedisi i Kosovës që dominohet nga prodhimi i energjisë ndotëse.

Si kontribuon efiçenca e energjisë në rritjen ekonomike?

Burim Ejupi: Efiçiena ka ndërlidhje të drejtëpërdrejtë me rritjen ekonomike. Duke zvogëluar intensitetin energjetik (sasinë e shpenzimit të energjisë për njësi të bruto produktit vendor), qytetarëve u rritet fuqia blerëse, ndërsa sektorit të biznesit dhe industrisë u ulet kostoja dhe u shtohen kapacitetet investuese. Gjithashtu, për shkak të uljes së nevojës për prodhim të energjisë ndotëse, sektori publik përfiton nga kostoja më e ultë për rehabilim të mjedisit apo kostoja shëndetësore. Efiçienca në sektorët e bujqësisë dhe transportit gjithashtu rritë sigurinë, ulë nevojën për shpenzime qeveritare dhe i mundëson parasë publike të fokusohet në investime afatgjate dhe transformuese për sektorët e tjerë.

Cili është rekomandimi i juaj për vetëdijësim të qytetarëve rreth energjisë efiçiente?

Burim Ejupi: Krizat e çmimeve po vënë në pah sa e rëndësishme është energjia dhe sa e rëndësishme është kursimi i saj. Grupeve të cenueshme të shoqërisë duhet t’u ndihmohet që tranzicioni të jetë më i lehtë dhe që investimet në efiçiencë të jenë të përballueshme. Subvencionet të ndërlidhen pra me kapacitetet investuese të konsumatorëve dhe jo të jenë të përgjithshme ndaj sistemit. Gjithashtu, të përkrahen projektet e efiçiencës në sektorin e amvisërisë qoftë përmes programeve me sektorin privat, qoftë përmes Fondit të Efiçiencës. Çfarëdo pako e rimëkëmbjes në të ardhmen të fokusohet në transformimin e sektorit të energjisë dhe me theks të veçantë në investimet në efiçiencë.