19:24, 21 Janar 2020

Kylian Mbappe e ka një ëndërr të madhe për vitin 2020 – të fitojë tripletë trofesh me Paris Saint Germain dhe përfaqësuesen franceze, më konkretisht Champions League me klubin parizien dhe Euro 2020, si dhe medaljen e artë në Tokyo 2020 me përfaqësuesen franceze.

Mbappe u shpreh për këtë ëndërr të tij në një intervistë të dhënë gjatë një ngjarje bamirësie të zhvilluar në periferi të Parisit.

“Mund të fitoj tripletë trofesh: Ligën e Kampionëve, Euro 2020 dhe Lojërat Olimpike. Nuk do të ishte aspak keq”, tha Kylian Mbappe me buzëqeshje.

“Duket si një objektiv i paarritshëm, por unë do të bëj gjithçka që të realizoj këtë ëndërr. Do të ishte një moment krenarie për mua të fitoj titullin e parë europian me Paris Saint Germain dhe të ndihmoj përfaqësuesen në rrugën e sukseseve”.

Eventi i bamirësisë së Mbappe u organizua për t’u ardhur në ndihmë 98 fëmijëve të moshës 9-16 vjeç me probleme të ndryshme sociale që të bëjnë realitet ëndrrat e tyre.

Problemi i Mbappe në realizimin e kësaj ëndrre ka të bëjë më shumë me Euro 2020 dhe turneun e futbollit në Lojërat Olimpike që i kanë datat shumë pranë njëra-tjetrës.

Europiani i futbollit do të zhvillohet në datat 12 qershor -12 korrik në 12 qytete të ndryshme, ndërsa turneu olimpik i kësaj disipline sportive në datat 23 korrik – 8 gusht.

Kjo ka bërë që drejtuesit e Paris Saint Germain të shfaqin shqetësimin e tyre për rrezikun e dëmtimit të futbollistit në këto evenimente./ Top Channel

Konkurs Pune

Lexo më shumë