Lajmet e fundit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë deklaruar se i kanë përafruar qëndrimet e tyre sa i përket profilit të presidentit të ri të vendit, mirëpo për këtë ende nuk ka marrëveshje.
Në takimin e radhës që Kurti e Abdixhiku e kanë pasur pasditen e së mërkurës, kanë diskutuar për emra të përveçëm, por që të dy kanë hezituar t’i përmendin, me arsyetimin se ende nuk është kontretizuar ndonjëri prej tyre.
Sa i përket kësaj, Kurti pas takimit ka deklaruar se diskutimi me Abdixhikun ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve për presidentin e vendit.
Ai ka thënë se në këtë takim janë diskutuar edhe emra konkretë, krahas kritereve dhe parimeve të dakorduara më herët.
Megjithatë, ai theksoi se emrat nuk do të bëhen publikë, pasi palët duhet ta ruajnë konfidencialitetin e negociatave.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz. Do t’i vazhdojmë bisedimet, pasi është rritur mirëbesimi dhe për herë të parë kemi diskutuar edhe për emra të veçantë. Nuk janë emra që i kemi pyetur paraprakisht nëse do të donin të ishin president apo presidente, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi mes vete”, tha Albin Kurti, transmeton Klankosova.tv
Sipas Kurtit, mirëbesimi mes palëve është rritur dhe procesi do të vazhdojë me synimin për të arritur një marrëveshje për presidentin e ri të Kosovës.
Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kurtin ka thënë se palët kanë avancuar në diskutimet për presidentin e vendit.
Abdixhiku bëri të ditur se në takimin e sotëm janë diskutuar emra konkretë dhe se shumica e propozimeve janë në përputhje me parimet për të cilat palët janë dakorduar më herët.
“Ky është një hap përpara, sepse kemi kaluar te emrat. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të diskutoj për emra konkretë, por do të takohemi sërish”, tha Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se LDK-ja nuk është “vagon” i asnjë partie tjetër, duke nënvizuar se qëndrimet e saj janë të pavarura.
“LDK-ja është e LDK-së, nuk është vagon i asnjë partie tjetër”, ka deklaruar Abdixhiku. /Klankosova.tv