Elezi (KQZ): S’ka prag minimal të daljes së votuesve për zgjedhjet në veri NULL NULL 01.04.2023 09:53 01.04.2023 09:53 Legjislacioni në Kosovë nuk e ka përcaktuar pragun minimal të daljes së votuesve në zgjedhjet qendrore apo komunale. Kësisoj, mosdalja e shumicës së votuesve në veri të vendit nuk mund ta kontestojë procesin zgjedhor. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë sqaruar njërën nga çështjet e debatueshme kohëve të fundit që ka të bëjë me pjesëmarrjen eventuale të ulët në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se në ligjet për zgjedhje nuk ka të vendosur ndonjë prag i daljes së qytetarëve. “As në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale nuk është e saktësuar se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një proces zgjedhor, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nuk ka ndonjë prag të vendosur për këtë çështje”, tha Elezi. Elezi ka thënë se KQZ-ja fton qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 23 prill dhe se për të realizuar të drejtën e votës, ky institucion është duke vazhduar me përgatitjet. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit”, tha Elezi./EO Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.