Lajmet e fundit

Komuna e Mitrovicës dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Lartë “Dr. Xheladin Deda”, kanë arritur pajtueshmëri në lidhje me organizimin e ekskursionit të maturantëve në Shqipëri.
Ky dakordim vjen pasi një ditë më parë, Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë komunë, pas shqyrtimit të çështjes, bëri me dije se organizimi i planifikuar për periudhën kohore 30.09.2026 – 04.10.2026 është anuluar.
Mirëpo, gjatë një takimi të mbajtur sot ndërmjet Nënkryetarit të Komunës, Enis Osmani, drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Shefki Begu, drejtoreshës së SHMLM-së “Xheladin Deda”, Dritë Zaraj Qamili, përfaqësuesve të Këshillit Drejtues të SHMLM-së “Xheladin Deda” dhe përfaqësuesve të prindërve të kësaj shkolle, është arritur dakordim që ekskursioni për nxënësit e kësaj shkolle të organizohet brenda muajit tetor 2026.
“Organizimi i ekskursionit do të bëhet përmes një thirrjeje/konkursi publik, i cili do të publikohet gjatë ditëve në vijim, me qëllim të sigurimit të një procedure të rregullt, transparente dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, në interes të nxënësve, prindërve dhe komunitetit të shkollës”, u tha në njoftimin e Komunës, raporton Klankosova.tv.
Gazetari i Klan Kosova, Kastriot Tahiri, raportoi gjatë ditës së sotme për këtë çështje, duke thënë se mund të ketë nisje të nxënësve pasditen e sotme, por shtoi se nuk dihet nëse Komuna do të lëshojë pe apo do të jetë e qëndrimit që vendimi të anulohet dhe të shpallet sërish konkursi për përzgjedhjen e një operatori tjetër ekonomik.
Paraprakisht, Drejtori i Arsimit, Shefki Begu, ka thënë se shuma prej 175 eurove është papërballueshme për ekonomitë familjare në Kosovë.