Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

EKSKLUZIVE: Pas pak Exit Poll i Klan Kosova dhe Albanian Post për zgjedhjet në Shqipëri

NULL NULL
11.05.2025 12:42

Qytetarët e Shqipërisë nga ora 07:00 u janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare.

Tashmë kanë mbetur edhe pak minuta deri në mbylljen e vendvotimeve.

Për këtë ditë të rëndësishme për Shqipërinë, Klan Kosova ka mbulim special, që ka nisur nga ora 11:00 dhe po vazhdon akoma, me të gjitha zhvillimet lidhur me procesin zgjedhor.

Madje duke filluar nga ora 19.00 Klan Kosova sjell ekskluzivisht Exit Poll-in e saj në bashkëpunim me Albanian Post rreth rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Mos e humbisni!

Na ndiqni duke filluar nga ora 19.00.

17:43 – KQZ publikon shifrat, 38.40% pjesëmarrja deri në 17:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 17:00.

Që prej momentit kur u hapën qendrat, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 38.44% nga 2266 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ, transmeton klankosova.tv.

Në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë në këtë orë përqindja ishte 35.07%, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 16 ka qenë 43.89%.

17:21 – Topalli, qytetarëve: Mos e nënvlerësoni zërin tuaj – keni fuqi më të madhe sesa mendoni

Jozefina Topalli nga Partia Demokratike u është drejtuar qytetarëve, duke u bërë thirrje që të votojnë dhe të mos e nënvlerësojnë zërin e tyre.

Ajo tha se vota nuk është vetëm një e drejtë, por ajo sipas saj, është edhe një përgjegjësi, përcjell Klankosova.tv.

“Votoni, mos e nënvlerësoni zërin tuaj, ju keni një fuqi edhe më të madhe nga çfarë ju e mendoni. Dyert e votimeve janë të vetmet dyer që hapen vetëm njëherë në katër vite, atë ditë siç është dita e sotme, ju keni mundësi dhe mund të ktheheni në promovues të jashtëzakonshëm të një kthese të madhe historike”.

“Ndaj, hyni tek ajo derë, votoni, sepse vota nuk është vetëm një e drejtë, por ajo është edhe një përgjegjësi”, është shprehur ajo.

35.85% e shqiptarëve votuan deri në ora 16:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka bërë të ditur se deri në ora 16:00 kanë dalë për të votuar 35.85% e shqiptarëve.

Sipas KQZ-së, këto të dhëna vijnë nga 2500 qendra votimi prej 5225 qendrave në total, transmeton Klankosova.tv.

Krahasuar me katër vjet më parë, më 14 maj 2021, përqindja e daljeve deri në orën 16:00 ishte 32.83%.

15:29 – BE vëzhgon zgjedhjet në Durrës

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato ishte ne Durrës ku vëzhgoi nga afër tre qendra votimi.

Ai theksoi se kjo është hera e parë që në Shqipëri organizohen zgjedhje që pas çeljes se negociatave me Bashkimin Evropian.

“Erdhëm edhe në Durrës se nuk donim te vëzhgonim procesin e zgjedhjeve vetëm në kryeqytet. Kjo është hera e pare e Shqipërisë qe organizohen zgjedhje qe pas çeljes se negociatave me Bashkimin Evropian. Jo se nuk kemi besim te OSBE -ODIHR, qe ka dhjetëra grupi inspektimi e vëzhgimi ne terren, se po bëjnë një pune shume te mire, por erdhëm vete për te pare nga afër se si po ecën procesi zgjedhor ne Durrës. Nuk mund te flas për procesin pasi do analizojmë me kujdes çdo gjë, jo vetëm procesin e votimit, por edhe para e pas këtij procesi”, u shpreh Gonzato, shkruan Abcnews.al.

15:24 – Lladrovci: Nga viti 2007 votoj për zgjedhjet që mbahen në Shqipëri

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka votuar në zgjedhjet nacionale të Shqipërisë sot.

Ai për Klan Kosovën është shprehur se ai voton me familjen e tij që nga viti 2007.

“Me familjen time e kemi kryer votimin në Shqipëri, e kemi kryer një obligim kushtetues që e kemi si shtetas shqiptar që jemi. Përshtypjet e mia janë shumë të mira, sepse nuk kishte tollovi, votimi ishte shumë i lehtë dhe shumë i mirë”.

‘Nuk ka pasë as telashe, as radhë dhe as pritje, gjithçka shkuar mirë dhe lehtë, votimi tek ne është më i ndërlikuar dhe këtu më i lehtë është. Unë kam pasë pasaportë shqiptare që nga përfundimi i luftës, kur na kanë pajisur me pasaporta i kemi quajtur të përkohshme të lëshuara nga Z. Rexhep Mejdani”.

“Pastaj, unë jam shtetas i Shqipërisë prej vitit 2007 kur presidenti Moisiu na ka pajisur, kur isha pjesë e qeverisë së Agim Çekut. është dashtë të shkoja në një vizitë në Kinë, por presidenti Moisiu kërkoi që të na pajis gjithë familjen tonë me pasaporta, dhe unë nga viti 2007 votojë në çdo zgjedhje si lokale dhe nacionale, e kryej obligimin kushtetues”, ka thënë Lladrovci. /Klankosova.tv

15:08 – Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim.

Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste. I burgosur pa gjyq, Veliaj u kërkoi qytetarëve që kur të shkojnë për të votuar, të kujtojnë pak si ishte Tirana dhe si është sot.

Ai nënvizonte se vota në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD, por një votë për punën, për shpresën, për transformimin. “Vota juaj duhet të jetë një votë për të tashmen që na bën krenar dhe të ardhmen europiane që meritojmë.”/Tch

14:09 – Celibashi: Mbi 200 mijë votues nga jashtë

Deri në orën 12:00 në Shqipëri kanë votuar 22.61 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Rreth procesit ka folur sërish para mediave, kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi.

Celibashi u deklarua edhe rreth numrit të votuesve nga diaspora.

“Bazuar në trendin e shifrave besoj se numri do të shkojë mbi 200 mijë”, deklaroi ai.

14:04 – Gashi (KQZ në Kosovë): Po monitorojmë procesin e votimit në Shqipëri, ka një frymë të qetë

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, ka folur për procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar në Shqipëri.

Në “Shqipëria voton” të Klan Kosovës, ai ka theksuar se atje është një proces i qetë deri tani.

“Ne kemi ardhur me disa kolegë nga KQZ-ja për të vëzhguar se si po shkon procesi zgjedhor në Shqipëri. Deri më tani që nga hapja, pasi kemi marrë pjesë në disa vendvotime në Tiranë dhe në Durrës, duket se gjithçka po shkon qetë dhe në formë demokratike”.

“Ajo çka vlen të theksohet është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur një standard bukur të lartë të menaxhimit të procesit zgjedhor, po flasim nga administrimi i procesit. Kështu që deri më tash ka një frymë të qetë, një përgatitje e mirë e administrimit të procesit dhe shohim si do të rrjedhin votimet”, ka thënë Gashi. /Klankosova.tv

13:50 Rama paraqitet nga Komanda e Përgjithshme: Votoni me pak durim…

Kryetari i PS-së, Edi Rama është paraqitur nga Komanda e Përgjithshme, aty ku mblidhen të gjitha të dhënat e ecurisë së procesit.

Nga aty, Rama përfitoi nga rasti t’iu bëj thirrje qytetarëve të cilët ende nuk kanë shkuar për të votuar.

“Ja ku jemi nga komanda e përgjithshme këtu ku mblidhen të gjitha të dhënat e ecurisë së procesit dhe përfitoj nga rasti t’i them të gjithëve që nuk kanë shkuar ende të votojnë të shkojnë të votojnë, e domosdoshme që vota  të hidhet, që vota të mblidhet, që vota të numërohet dhe që ti që mund të votosh të mos mungosh, është një detyrë qytetare, detyrë shoqërore, është një detyrë patriotike. Votoni, votoni me qetësi me pak durim edhe me bindjet tuaja votoni”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.

13:40 – Zgjedhjet në Shqipëri, KQZ: Deri në orën 12 votuan 22.61 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri , ka njoftuar se procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht dhe se dalja në votime deri në orën 12:00 është 22.61 për qind, e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas KQZ-së atje, kjo është një rënie prej krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare, kur dalja në votime në kohën e njëjtë ishte 27.24 për qind.

Në këto zgjedhje, për herë të parë do të votojnë edhe shqiptarët në mërgim.

Garën kryesore, po e zhvillojnë kryeministri dhe lideri i Partisë Socialiste Edi Rama, dhe kundërshtari i tij, kreu i PD-së Sali Berisha.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

13:34 Rezultati i zgjedhjeve, Berisha: Kush është ai që nuk i bindet historisë?

Pak pasi mediat publikuan incidentet dhe kërcënimet e Flamur Nokës në Vorë ndaj qytetarëve, Sali Berisha njoftoi konferencë për mediat.

Duke mos komentuar asnjë fjalë mbi incidentin, Berisha falenderoi votuesit e shumtë sipas tij, dhe theksoi se zgjedhjet po vëzhgohen nga ndërkombëtarët.

“Mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata qytetarë që deri tani kanë votuar, duke kryer një detyrim madhor të cdo shqiptari mbi moshën 18 vjecare. Detyrim ndaj vetes, familjes, Shqipërisë dhe Kombit. Falenderim për ata mijëra shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracive por kanë vërshruar nga ajri, toka e deti dhe po votojnë në Shqipëri. Mirënjohje e pakufishme, I gjenden vendit në një nevojë shumë të madhe. Thirrja ime është për cdo shqiptar, voto për veten, fëmijët, të ardhmen e fëmijëve të tu. Cdo gjë ka vëzhgim ndërkombëta dhe kombëtar serioz. Kushdo që merr përsipër të shkelë ligjin do bëhet përgjegjës. Sot sovrani jep verdikt historik.” tha Berisha

Por a do e njohë ai rezultatin e zgjedhjeve në rast humbjeje?

“Nuk kanë lidhje këto, sot sovrani do të japë një verdikt historik dhe kjo është e vërteta. Po kush është ai që nuk i bindet historisë. Kështu është kjo.”- tha ai./ Abcnews.al

13:19 – Lladrovci: Kandidati të cilin e votova pres të jetë avokat i çështjes kombëtare

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në Shqipëri, pasi posedon edhe pasaportën shqiptare.

Pas hedhjes së votës në kuti, ai bëri një postim në Facebook me anë të të cilit bëri të ditur se nga kandidati të cilin e ka votuat, pret të jetë avokat i çështjes kombëtare sikur deri sot, për Kosovën dhe shqiptarët kudo jetojnë.

“Deputetët ashtu edhe drejtuesit ekzekutiv të shtetit e kanë obligim moral, kombëtar e kushtetues, të ngritin dhe mbrojnë çështjet me rëndësi të shqiptarëve jashtë kufijve administrativë. Obligimi i shqiptarëve jashtë kufijve administrativë, dihet, ta duan Shqipërinë!”, tha Lladrovci transmeton Klankosova.tv.

12:28 – Nusja në Elbasan voton në ditën e dasmës me vello

Një votë e veçantë është hedhur në Elbasan. Atje një nuse ka vendosur të votojë në ditën e dasmës me vello veshur.

Në videon që ka siguruar Klankosova.tv, nusja e dorëzon leternjoftimin si dhe i vendoset shenja në gisht që ka përfunduar votimin.

3.7 milionë shtetas shqiptarë këtë të diel po i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament, për një mandat 4 vjeçar. / Klankosova.tv

12:22 – KQZ: Po e vëzhgojmë procesin e zgjedhjeve të sotme në Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka bërë të ditur se është duke e vëzhguar procesin e zgjedhjeve që është duke u zhvilluar sot në Shqipëri.

Në një njoftim të lëshuar për media, KQZ bën të ditur se anëtarë dhe zyrtarë të KQZ-së po qëndrojnë në qendra votimi në zona të ndryshme zgjedhore për të përcjellë nga afër organizimin e këtij procesi zgjedhor.

“Gjatë këtij vëzhgimi, vëmendje më e madhe do t’i kushtohet votimit të pjesshëm elektronik në disa qendra votimi dhe numërimit të votave që zhvillohet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor”.

“Para ditës së zgjedhjeve, zyrtarët e KQZ-së u njoftuan edhe për aspekte tjera të procesit zgjedhor, siç është organizimi për herë të parë i votimit jashtë vendit për shtetasit e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv

12:21 – Ilir Meta voton nga burgu

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka votuar nga burgu.

Këtë e bëri të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook, ku thotë se mediat ishin të njoftuara për të qenë të pranishme në momentin e votimit, por sipas tij, sapo “patronazhistët” njoftuan se doli i veshur kuq e zi nga qelia, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.

“Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë! Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën këtu, pas kërkesës së tyre, që të votoja sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat. Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit”, ka shkruar Meta, njofton Klankosova.tv.

“Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës sepse ato i kujtojnë atij, por mbi të gjitha të gjithë shqiptarëve patriotë, mbrojtjen e Kushtetutës. Se ato u kujtojnë të gjithë shqiptarëve patriotë në Shqipëri dhe anembanë botës mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga Presidenti Ilir Metaj. Ai ka tmerr edhe nga pamjet live të Ilir Metaj sepse ka tmerr nga vota e lirë dhe liria e shqiptarëve”, thotë më tej ai.

Tutje, kryetari i Partisë së Lirisë u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë.

“Ndaj sot në këtë ndeshje historike midis “status quo”-së dhe Ndryshimit i ftoj të gjithë shqiptarët patriotë dhe kuqezinj, të votojnë, të votojnë dhe vetëm të votojnë. Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton! Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë”, shkruan Meta, njofton Klankosova.tv.

12:01 – Shefi i misionit të OSBE-së për zgjedhjet: Po e vëzhgojmë procesin e votimit në Shqipëri

Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR, ka thënë se janë duke e vëzhguar  votimin në Shqipëri, sipas tij, në fund do të ketë një raport për të gjithë këtë.

Të hënën në orën 15:00 do të paraqitet raporti përmes një konference për shtyp.

“Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë kundrejt BE-së. Kjo është një nga qendrat e shumta të votimit ku jemi ne sot”.

“Si OSBE-ODIHR, ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë 135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE dhe janë nga Parlamenti Evropian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar edhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit. Nesër do të kemi një konferencë për shtyp”.

“Konferenca do të jetë nesër në orën 15:00 në “Rogner” dhe jeni të gjithë të ftuar aty. Nuk do të ishte domethënëse nëse do t’ju jepja një mendim sot sepse unë jam vetëm një person në një qendër votimi për momentin. Sigurisht që unë jam duke mbledhur informacion dhe kam ardhur në këtë qendër votimi sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që 10% e votimit të jetë elektronik. Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik”, tha Zannier, sipas Tvklan. /Klankosova.tv

11:28 – Zgjedhjet në Shqipëri, gjithçka shkoi mirë në shkollën “Kosova” në Tiranë

Një nga qendrat më të mëdha të kryeqytetit në Shqipëri, Tiranës, është shkolla “Kosova”.

Kjo qendër është hapur në orën 07:00 të mëngjesit si ishte e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Aty nuk pati ndonjë problem teknik që të dalë ndonjë vonesë për nisjen e procesit të votimit.

Më herët aty ka votuar edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, bashkë me gruan e tij, Lirie Berisha.

Në qendrat e tjera të votimit në Tiranë pati disa probleme me mjetet e punës. /Klankosova.tv

11:21 – Celibashi: Deri në ora 11:00 pjesëmarrja në zgjedhje është 13.54 për qind

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi, ka dhënë informacione rreth procesit zgjedhor të po zhvillohet atje.

Celibashi në një konferencë për media njoftoi se deri në orën 11:00, pjesëmarrja ishte 13.54 %.

Ai bëri të ditur se 8 për qind e votave janë hapur me vonesë.

“Nuk kemi asnjë qendër votimi të pahapur dhe të bllokuar. Nga përpunimi që kemi bërë, Janë 8% e qendrave të votimit që janë hapur me vonesë, rreth orës 08:00. Në 5% në qendrave të e votimit nuk kanë qenë të pranishëm të shtatë anëtaret të qendrës së votimit, ka patur kuorum prej katër anëtarësh, por s’kanë qenë të gjithë. Në të gjitha qendrat e votimit kanë qenë prezentë vëzhgues të partive dhe të tjerë.”, tha ai para mediave.

11:16 – Berishës i del problem me pasaportë, votoi me letërnjoftim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e pati një problem derisa votoi sot në zgjedhjet nacionale të Shqipërisë.

Derisa procesi i votimit atje është në formë elektronike Berishës i doli një problem me pasaportë.

I njëjti u detyrua të votojë me letërnjoftim. /Klankosova.tv

10:50 – Edi Rama deklarohet shkurt: Të presim çfarë do thotë populli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pasi ka hedhur votën me bashkëshorten e tij, Lindën, u deklarua shkurt para mediave.

Ai tha: “Të presim cfarë do thotë populli”, raporton Klankosova.tv.

10:28 – Sali Berisha: Votoni, votoni, sot është një ditë e dytë vere

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë thirrje shqiptarëve që  të dalin të votojnë.

Në një paraqitje para mediave, ai ka theksuar se sot është ditë e dytë vere për këto zgjedhje nacionale të 11 majit.

“Së pari një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar sot të votojnë, të votojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre dhe te votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend”.

“Çdo njeri që takova njerëz të sigurt në votën e tyre mezi presin rezultatin, pra do të kemi një ditë të dytë vere. Ndaj edhe njëherë thirrja ime është votoni, votoni”, ka thënë Berisha. /Klankosova.tv

10:15 – Ambasadori i BE-së: Vota juaj është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është duke përcjellur nga afër procesin zgjedhor atje.

Në një paraqitje para mediave, ai theksoi se monitorimin e filloi me Tiranën, por do ta vazhdojë edhe në qytetet e tjera.

Gonzato u bëri thirrje shqiptarëve të dalin dhe të votojnë.

“Dilni dhe votoni. Vota juaj është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ai, sipas Euronews Albania.

10:00 – Ambasadori gjerman në Shqipëri: Këto zgjedhje janë provë solide për integrimin

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ka komentuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor që ka nisur këtë të diel në vend. Ai është shprehur se, nga ajo që ka konstatuar personalisht si vëzhgues në terren, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe normale.

“Isha në një shkollë në Durrës ku po votohet në mënyrë elektronike. Ky është një sistem që mund të kërkojë pak kohë për t’u mësuar me të, por sjell rezultate më të sakta dhe të drejta,” u shpreh ambasadori Bergner për Euronews.

Ai theksoi rëndësinë që këto zgjedhje kanë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke i cilësuar si një test të rëndësishëm për standardet demokratike dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Zgjedhjet transparente do të jenë një provë solide për rrugën e integrimit. Edhe vëzhguesit e huaj, mes të cilëve ka edhe shumë gjermanë, janë të interesuar që transparenca e procesit të jetë e lartë,” tha ai, duke shtuar se nuk do të bëjë komente përfundimtare pa u mbyllur procesi.

Ambasadori u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje të lartë në votime.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë ditë për të hedhur votën e tyre. Pjesëmarrja që kemi vërejtur deri tani ka qenë e lartë dhe mendoj se çdo shqiptar do të përfitojë nga këto zgjedhje,” tha ai.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e votimit si një akt përgjegjësie për të ardhmen: “Edhe nëse jeni të pakënaqur me alternativat aktuale, duhet të votoni, është një mënyrë për të mos hedhur poshtë shansin për vendin, për të ardhmen e familjes dhe fëmijëve tuaj.”

09:30 – E pazakontë në Lushnje: Dollapi i rrobave kthehet në dhomën e fshehtë të votimit

3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga të cilët 114,642 votues për herë të parë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në parlament, për një mandat katërvjeçar.

Ndërkaq një dollap i vjetër në qendrën shëndetësore të fshatit Zhanë në këtë ditë zgjedhjesh është kthyer në dhomë votimi. /tch

09:22 – Celibashi: Kandidatët tentojnë të futen në qendrat e votimit, është e ndaluar me Kod Zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka thënë se ka pasë tentime të kandidatëve për t’u futur në qendrat e votimit.

Në një konferencë për media, ai ka theksuar se kjo është e ndaluar nga Kodi Zgjedhor dhe se kandidatët nuk mund të hyjnë në qendrat e votimit.

“KQZ ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputet kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit. Bëjmë me dije se është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor prania e kandidatëve në Qendrat e Votimit”.

“Kandidatët duhet të respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politik, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor”, tha Celibashi, sipas ABCNews.

08:49 – Basha: Votoni sot, besoni tek Shqipëria dhe tek vetja juaj

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka votuar sot bashkë me vajzën e tij Dafina, e cila iu drejtua kutive të votimit për herë të parë.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë të dalin të votojnë për të ardhmen e tyre.

“Të gjithë qytetarëve shqiptarë u bëjë një thirrje t’u drejtohen kutive të votimit për të ushtruar një të drejtë që është luftuar kaq shumë dhe sakrifikuar kaq shumë të drejtën për të zgjedhur me votën qeverinë, parlamentin dhe deputetët që ju përfaqësojnë”.

“E kam këtë ftesë në veçanti për brezin e ri në këtë ditë shumë të veçantë për mua kur vajza ime e madhe, Dafina voton për herë të parë, i drejtohem brezit të ri t’iu them që sot e keni një të drejt shumë të çmuar për të ushtruar, dilni nga shtëpitë dhe rezervoni pak që të shkoni të votoni për të drejtën tuaj, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj, besoni tek Shqipëria, besoni tek vetja juaj, besoni tek e ardhmja”, ka thënë Basha. /Klankosova.tv

08:40 – Zgjedhjet në Shqipëri, Basha votoi për herë të parë me vajzën

Lulzim Basha ka votuar sot në zgjedhjet nacionale të Shqipërisë.

Ai ishte i shoqëruar nga vajza e tij Dafina Basha, e cila votoi për herë të parë. /Klankosova.tv

08:11 – Rama: Shqiptarët e kanë në dorë të ardhmen e tyre

Sot në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet Parlamentare.

Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë.

Ai tha se “Sot është Dita e Shqipërisë”.

“Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre”, tha Rama.

Shtetasit e Shqipërisë, nga të cilët 114 mijë e 642 votues për herë të parë do t’i drejtohen këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament, për një mandat katërvjeçar.

Në garë janë 11 parti, ku çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit, 46 prej të cilëve janë në listën e sigurt.

Janë 5 mijë e 225 qendra votimi në të gjithë vendin të cilat hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Ndërkaq, misioni ka gjithsej 365 vëzhgues nga 47 vende, të përbërë nga 238 ekspertë dhe vëzhgues afatgjatë të dërguar nga ODIHR, 97 parlamentarë dhe staf nga Asambleja Parlamentare e OSBE, 22 nga KiE dhe 12 nga PE.

07:03 – Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Shtetasit e Shqipërisë, nga të cilët 114,642 votues për herë të parë do t’i drejtohen këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament, për një mandat 4 vjeçar.

Në garë janë 11 parti, ku çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit, 46 prej të cilëve janë në listën e sigurt.

Janë 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin të cilat hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Ndërkaq, misioni ka gjithsej 365 vëzhgues nga 47 vende, të përbërë nga 238 ekspertë dhe vëzhgues afatgjatë të dërguar nga ODIHR, 97 parlamentarë dhe staf nga Asambleja Parlamentare e OSBE, 22 nga KiE dhe 12 nga PE.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.