16:44, 26 Shkurt 2020 Autor: Lirika Haliti

Kryeministri Albin Kurti përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me marrëveshjen sekrete, siç e quan ai, të nënshkruar më 19 prill 2013 mes kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka komentuar këtë zhvillim në një intervistë për klankosova.tv duke thënë se marrëveshjet e nënshkruara mes NATO-s dhe Kosovës janë çështje që janë përtej interesave të brendshme, dhe si të tilla nuk duhet të interpretohen me pompozitet.

“Lidershipi në Kosovë në asnjë rrethanë nuk duhet dhe nuk guxon t’i përziej politikën e jashtme, çështjet e sigurisë që kalojnë mundësitë dhe kompetencat e Republikës së Kosovës me politika ditore dhe inate personale në mes të liderëve politikë në Kosovë”.

“Çështjet dhe marrëveshjet e nënshkruara mes NATO-s dhe Republikës së Kosovës janë çështje të ndjeshme që tejkalojnë interesat e brendshme të Kosovës, dhe të njejtat nëse fillojnë të interpretohen në publik në mënyrë pompoze e dëmtojnë rëndë kredibilitetin dhe paraqet një shqetësim serioz të dobësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”.

Sipas tij, Kosova do të ketë pasoja të riparueshme në rast se ka një qasje të tillë, që siç tha Miftaraj, paraqet cenim të rëndë të zakonit ndërkombëtar lidhur me obligimet ndërkombëtare që shteti i Kosovës i ka marrë përsipër.

“Diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejojë vetes nëse merret parasysh statusi i pakonsoliduar i shtetësisë së Kosovës”.

“Një qasje e tillë e Kosovës në raport më bashkësinë ndërkombëtare bie në kundërshtim me parimin bazë të përgjegjësisë së shtetit në të drejtën ndërkombëtare, e cila përcakton qartë se çdo shtet që shkel një obligim ndërkombëtar duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij deliktore: është përgjegjësi e shtetit që nuk respekton obligimet ndërkombëtare që menjëherë të ndaloj veprimet e tilla ose, në të kundërtën, të përballet me pasoja”.

“Këto pasoja në rastin e Kosovës do të ishin të pariparueshme. Kosova si një shtet i ri, i cili ende është në fazën e shtet ndërtimit, me demokraci të brishtë, ekonomikisht dhe financiarisht i varur nga ndihmat dhe mbështetja ndërkombëtare, me nivel shumë të ultë të sundimit të ligjit, në kërkim të rrugës për të forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar, duhet të sigurohet që të ndërmarr veprime dhe vendime politike që ngritin besimin dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare”.

Por, si e sheh ai këtë marrëveshje – a është antikushtetuese?

“Kushtetuta e Kosovës e përcakton në mënyrë të qartë se cilat janë kompetencat dhe përgjegjësitë e Presidentit dhe Kuvendit të Kosovës lidhur me nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sikurse, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe sipas Planit Ahtisaari, janë marrë përsipër edhe obligimet e Republikës së Kosovës në raport me praninë e NATO-s në Kosovë, rolin e NATO-s në Kosovë lidhur me ndërtimin e paqes dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë”.

“Sipas obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova në raport me faktorin ndërkombëtar, NATO përmes KFOR-it, ka autoritet suprem në ndërtimin e paqes dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, në këtë drejtim duhet të interpretohen edhe çdo marrëveshje që autoritetet në Kosovë lidhin me përfaqësuesit e KFOR-it”.

Ai ka sqaruar edhe se në çfarë raste mund të shkarkohet presidenti i vendit, dhe cilat janë procedurat.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi i Kosovës vetëm nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit”.

“Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë