Lajmet e fundit

Shkruan: Arbreshë Uka
Neki Popaj nga Fortesa e Rahovecit ka gati një dekadë që është diagnostikuar me sëmundjen kronike të diabetit. Në mungesë të informimit të mirëfilltë, siç thotë edhe 61-vjeçari, nuk ka arritur ta menaxhojë siç duhet sëmundjen, ku së fundmi ai edhe u bë për spital për shkak të vlerave të larta të glikemisë në gjak.
Përgjatë këtij 10-vjeçari me diabet, për herë të parë mori trajtim spitalor në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës për më shumë se 10 ditë.
“Qe 10 vite jam gati në diabet, deri tash kam qenë me medikamente dhe tash, falë mjekëve, ma kanë shpëtu edhe jetën. Kam qenë shumë, shumë keq! Sheqeri më ka shku deri në 40, tash e kom shumë ma mirë dhe kam filluar të stabilizohem”, rrëfen pacienti.
Pacienti tregon se përgjatë këtyre viteve asnjëherë nuk është këshilluar drejt nga mjekët me të cilët ka pasur përvojë. Popaj thekson se mos-edukimi profesional ka bërë që diabeti, pas një kohe, t’i sjellë edhe komplikime, siç u përballë në verën e sivjetme.
“Jo, nuk i kom ditë ma herët, as nuk më ka informu askush derisa kam ardh këtu në spital”, tregon pacienti, Neki Popaj.
Mirëpo, 61-vjeçari tashmë po del nga spitali shumë më i fuqizuar dhe më i vetëdijësuar rreth menaxhimit të diabetit. Neki Popaj tregon se është këshilluar nga profesionistët shëndetësorë, më saktësisht nga endokrinologët e këtij spitali, përmes këshillimores brenda-spitalore për menaxhimin e diabetit.
Ai shprehet falënderues dhe mirënjohës ndaj stafit, si për trajtimin, ashtu edhe për edukimin që ndihmon në parandalimin e shumë komplikimeve të tjera që mund t’i sjellë diabeti.
“Të gjitha m’i kanë tregu dhe më kanë informu. Më kanë tregu se si të ushqehem, çfarë pije me pi dhe me çfarë orari. Më kanë këshillu shumë dhe jam shumë ma mirë tash.”
Madje, nga tash e tutje e di se diabeti i dëmton edhe organet e tjera vitale, për të cilat duhet të bëjë kontrolle te specialistët e lëmive të tjera.
“Më kanë këshillu që duhet me i kontrollu edhe sytë, edhe veshkat për shkak të diabetit, edhe në përgjithësi ma mirë nuk është. Pacienti gjithmonë është ma mirë kur i merr parasysh këshillat e mjekut, nëse jo, pacienti shkon dëm.”
E, kjo këshillimore brenda-spitalore, me një ambient të këndshëm dhe komod dhe që nuk ngjason me infrastrukturën tipike spitalore jo moderne, është bërë e realizueshme falë partneritetit dhe mbështetjes së IHS-së.
Aktivizimi i saj është bërë gati një vit më parë.
Në këtë dhomë brenda objektit të spitalit, pacientët me diabet dhe të hospitalizuar vijnë për ligjërata dhe mësime të tjera praktike rreth edukimit të tyre si pacientë, derisa edhe shfaqen të befasuar për të mirë me këtë praktikë të re.
“Zakonisht mblidhen dhe vijnë 3-4 pacientë këtu. Pra, këtu bëhet ligjërimi rreth ushqyeshmërisë, marrjes korrekte të insulinës dhe marrjes së terapive të tjera. Pastaj bëhet ekzaminimi i shputës diabetike, flasim edhe rreth aktivitetit fizik dhe temave të ndryshme që lidhen me menaxhimin e diabetit”, njofton Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Pacientët marrin edhe mësime praktike, sidomos për matjen e glikemisë në kushte shtëpie. Mos-informimi i drejtë deri më tani ka bërë që ata t’i shkaktojnë vetes plagë në të njëjtin gisht, që mezi i kanë shëruar.
“Përveç ligjëratave, ata i vetëdijësojmë edhe në aspektin praktik, sidomos për matjen e glikemisë, ngase pacientët shpesh mendojnë që duhet shpuar vetëm njëri gisht, ngase në gishtërinjtë e tjerë mendojnë që nuk matet mirë sheqeri dhe kësisoj bëhen plagë të vazhdueshme dhe që vështirë rikuperohen”, tregon Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Është më rëndësi të theksohet se diabeti prek organet vitale dhe qëllimi i Spitalit të Gjakovës është parandalimi dhe edukimi, në mënyrë që pacientët të fitojnë njohuri dhe të marrin vetë-iniciativë për të ndjekur kontrollet te specialistët e tjerë.
Diabeti ndikon edhe në humbjen e shikimit dhe dëmtimin e veshkave, në rastin më të rëndë deri në dializë.
Endokrinologu, sipas protokolleve evropiane, duhet ta edukojë pacientin dhe t’i informojë ata se me patjetër, një herë në vit, çdo pacient me diabet duhet të shkojë te oftalmologu dhe nefrologu.
“Është me patjetër me shku një herë në vit te oftalmologu dhe nefrologu. Te gratë shtatzëna apo te rastet me komplikime duhet edhe më shpesh, një herë në gjashtë muaj apo në çdo 3 muaj.
Diabeti është një sëmundje që duhet vlerësuar në një formë multidisiplinare.
Kemi pasur shumë raste të tilla që kanë ardhur deri te amputimi i gjymtyrëve dhe kanë përfunduar në dializë dhe janë verbuar. Kjo jo vetëm për shkak të menaxhimit të sëmundjes, por edhe për shkak se nuk kanë pasur dijeni se duhet vizituar këta mjekë të lëmive të ndryshme”, thotë Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Mirëpo, kjo nuk është këshillimorja e vetme spitalore.
Një hapësirë e veçantë i dedikohet tërësisht pacientëve ambulantorë që janë me diabet, apo ndryshe, këshillimorja jashtë-spitalore, që ka filluar funksionimin gati një vit më parë.
Projekt ky i jetësuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës falë mbështetjes financiare, profesionale dhe logjistike të IHS-së.
“Kontaktin e parë me pacientë me diabet e kemi në ambulancat specialistike. Aty kemi shumë pacientë dhe jemi pak endokrinologë, vetëm dy, ndaj edhe e kemi kohën e kufizuar, pra nuk e kemi kohën e duhur apo një 30-minutësh për t’ia dedikuar pacientit. Kësisoj i informojmë dhe mblidhemi të hënën dhe të enjten për zhvillimin e ligjëratave në edukim dhe të tjera”, thotë Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Pacientët vijnë me shumë qejf këtu. Për ta është edhe një terapi psikologjike, përtej të tjerave që mësojnë rreth ushqyerjes, edukimit, parandalimit dhe menaxhimit të diabetit.
“Ka vullnet, vijnë deri në 10 veta. Kur vijnë herën e parë, kërkojnë me ardh prapë, për shkak se është grupore dhe shkëmbejnë përvoja mes vete. Është një lloj terapie për ta edhe në aspektin psikologjik. Edhe vetë fakti që është një tavolinë e rrumbullakët dhe kuzhina e bën këtë ambient edhe më të ngrohtë. Ne këtu qëndrojmë rreth 2 orë bashkë, por me qejfin e pacientëve kishim qëndru gjithë ditën dhe e kemi të pamundur këtë”, pohon Sylka Avidaj.
Pacientet gra janë më të interesuara për vetëdijësim sesa burrat.
Ndërkaq, në këtë këshillimore nuk edukohen vetëm pacientët, por edhe familjarët e tyre. Ata vijnë bashkërisht dhe mësojnë nga mjekët se si duhet reaguar në rast se familjari i tyre me diabet ka ulje apo ngritje të theksuar të sheqerit.
Përtej këtyre, edhe unë si gazetare e shëndetësisë mësova diçka të re që s’e kisha rastisur më parë.
Pacientët me diabet duhet të kenë shumë kujdes në det dhe të mos ecin assesi zbathur nëpër rërë. Pasojat janë të mëdha.
“Kur është vera, pacientët duhet pasur kujdes të shtuar dhe ne i këshillojmë ata për hidratim të shtuar si shkak i temperaturave të larta. Gjithashtu, edhe pacientët që shkojnë në det të kenë kujdes me shputat, sepse ne si popull kemi qejf me ec zbathur në rërë, mirëpo kjo për pacientët diabetikë mund të sjellë shumë komplikime.
Kemi pasur shumë raste kur pacientët kanë shku në plazh, kanë ecur zbathur në rërë edhe kanë pësuar djegie dhe, në rastet më të rënda, deri në amputim të shputave. Ata zakonisht i mbulojnë këmbët me rërë, duke menduar që po bëjnë mirë me shëndetin e tyre dhe nuk e vërejnë temperaturën e lartë, kësisoj pësojnë djegie të shkallës së lartë”, pohon ajo.
Kur endokrinologia Blerina Sylka Avidaj ua tregon këtë diabetikëve, pacientëve apo familjarëve të tyre u kujtohen raste të tilla, por që nuk kanë qenë në dijeni për këtë informacion jetik.
“Dhe janë befasuar kur u kemi treguar për këtë, mandej edhe familjarëve iu janë kujtuar përvoja të tilla, por që nuk e kanë ditur arsyen pse. Kjo ndodhë me ta edhe ndaj temperaturave të ulëta, sepse mendojnë që kanë të ftohtë dhe vazhdimisht marrin objekte të nxehta apo afrohen te ngrohja dhe nuk e vërejnë nxehtësinë që ju shkakton edhe djegie më pas”, thotë ajo.
Arsyeja është se ata e kanë ndjeshmërinë shumë të ulët ndaj temperaturave, si të ngrohta, ashtu edhe të ftohta, dhe tolerancë të ulët ndaj dhimbjes, ngase diabeti i dëmton fijet nervore në këmbë.
Për të mos përfunduar deri në këto gjendje, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës bëhet ekzaminimi i shputës dhe fijeve nervore përmes kabinetit të EMNG-së, investim ky po ashtu nga IHS.
“Kur pacientët ankohen për mpirje, shpime dhe ndjesi të pakëndshme në këmbë, fillimisht vlerësohet nga ana jonë se a ka nevojë për një EMNG që bëhet nga neurologu.
EMNG tregon procesin fiziologjik të fijeve nervore, qofshin ato motorike apo sensorike, nëse pacienti i ka të dëmtuara fijet, sidomos periferike të shputave. Ky lloj ekzaminimi dhe referimi me kohë e prolongon pacientin nga shputa diabetike apo nga gjendja e rënduar e shputës diabetike.
Në fillim, ky lloj ekzaminimi ka qenë jo shumë i qartë për pacientët dhe ne i kemi referuar vazhdimisht, ndërkaq ata i kanë njoftuar edhe familjarët apo miqtë e tyre të tjerë, gjë e cila ka ndikuar në rritjen e kërkesave”, pohon endokrinologia.
Sipas të dhënave, nga korriku i kaluar deri në korrikun e 2026-s janë kryer 377 EMNG dhe janë bërë 280 matje të indeksit trupor.
Mbështetja e IHS-së dhe implementimi i një aplikacioni online për monitorimin e sëmundjes së diabetit në distancë ka bërë që të shpëtohet jeta e një pacienti të ri.
Si shkak i stigmës, një pacient i ri me diabet të tipit 1 ka refuzuar kontrollet mjekësore dhe ka shmangur kontaktet fizike. Si shkak i këtyre, ai shpesh ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital.
“E kemi një program që quhet ‘monitorimi’, një aplikacion që përcjell pacientët në distancë, jemi 6 pacientë. Ka treguar shumë sukses për shkak të konfidencës, sidomos për një pacient të diabetit me tip 1, moshë e re. Ai vazhdimisht i ka anashkaluar vizitat mjekësore në mënyrë që mos me pa dhe kuptu të tjerët që është me diabet. Veç familja e tij e din.
Për shkak të stigmës ka ardhur disa herë te ne në spital dhe në gjendje të rëndë. Ky aplikacion e ka ndihmuar shumë”, Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Ky aplikacion dhe dy këshillimoret e hapura që një vit, sipas profesionistëve, kanë treguar rezultate të dukshme deri më tani, që kanë ndikuar në rënien e hospitalizimeve dhe, për dallim nga vitet e tjera, tashmë shumë më rrallë paraqiten rastet në gjendje të rëndë nga diabeti për trajtim spitalor.
“Ka filluar rënia e hospitalizimeve, pra tani kemi numër më të vogël të pacientëve me diabet që kanë nevojë për trajtim spitalor. Viteve paraprake kemi pasur shumë më shpesh pacientë të rëndë në gjendje akute nga diabeti i tipit 1, derisa tash ka disa muaj që nuk kemi pasur asnjë dhe ky është lajm i mirë. Si dhe ka rënë dukshëm numri i përkeqësimeve të pacientëve me diabet, sikurse për shputë diabetike apo edhe dëmtim të syve”, Blerina Sylka Avidaj, endokrinologe.
Nga viti 2024, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë është pranuar në rrjetin e spitaleve që promovojnë shëndetin, pra që nga ky hap mjekët thonë se nuk bëjnë vetëm diagnostikim dhe trajtim të pacientëve, por promovojnë shëndet, bëjnë identifikim dhe këshillim.
Synohet që shpejt të fillohet edhe me skriningun e shputës diabetike. Infermierët veç janë trajnuar për këtë në Slloveni. Edhe kjo është bërë e mundshme nga IHS, në mënyrë që të gjitha hallkat të jenë plotësisht funksionale, ku pacientin e vë në fokus dhe e fuqizon atë.
“Jemi trajnuar për 2 javë në Lubjanë të Sllovenisë për skriningun e shputës diabetike, ekzaminim ky që i bëhet këmbës, shihet qarkullimi i gjakut, plagët, bëhet matja e këmbëve. Skriningu i shputës diabetike ndikon në parandalimin apo shtyrjen më të gjatë nga amputimi”, thotë Butrint Stavileci, infermier nga kabineti EMNG.
Nevoja është që të shtohet numri i specialistëve të endokrinës. Të gjithë këtë punë, përfshirë edhe angazhimin në ambulancën specialistike dhe kujdesin në repartin e internos, e bëjnë vetëm 2 endokrinologë, ku deri vonë ka qenë vetëm një.

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jo-ngjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e kësaj interviste nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo të AGK-së.