15:15, 29 Qershor 2020

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka arritur në Kuvendin e Kosovës ku do të takohet me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Paraprakisht, shefi i qeverisë shqiptare është takuar me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj me të cilin ka pasë edhe një drekë pune, njofton Klan Kosova.

Pas takimit me të parën e Kuvendit, Rama do të takohet me homologun e tij kosovar Avdullah Hoti, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Kadri Veselin dhe në fund të ditës së sotme do të ketë një takim me presidentin Hashim Thaçi.

Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka ardhë në Prishtinë pas propozim-aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Këtë propozim-aktakuzë ai e ka quajtur fletë-rrufe, derisa e cilëson si njollë turpi të shekullit 21 në historinë botërore të drejtësisë.

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka shkruar ai.

Konkurs Pune

Lexo më shumë