Lajmet e fundit

Kosova ka vazhduar edhe sot suksesin në Lojërat Mesdhetare në Taranto, pasi dje Donjeta Sadiku ia solli të artën në boks.
Dardanët sot siguruan tri medalje të bronzta, përmes Fatjona Kasapit, Flaka Loxhës dhe Akil Gjakovës.
Në anën tjetër, Dardan Cena dhe Erza Muminoviq u renditën të pestët, pasi humbën në duelet për medaljen e bronztë.
Federata e Xhudos njoftoi se Kasapi, në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në çerekfinale humbi me Ippon nga Pauline Cuq nga Franca.
“Në luftën e parë të repasazhit ishte e lirë. Në luftën e dytë të repasazhit, Fatjona mposhti me Yuko, Maria Siderot nga Portugalia”.
“Për medaljen e bronztë, Fatjona mposhti me Yuko, Gaia Stella nga Italia dhe fitoi medaljen e bronztë”, njoftoi FXhK.
Edhe Loxha pati një rrugëtim të ngjashëm me Kasapin.
“Në xhiron e parë [Flaka Loxha] ishte e lirë. Në çerekfinale mposhti me Yuko, Michela Terranova nga Italia”, njoftoi FXhK-ja në postimin e saj.
“Në gjysmëfinale Flaka humbi me Wazaari nga Ana Viktorija Puljiz nga Kroacia”.
“Për medaljen e bronztë, Flaka mposhti me Ippon, Aysenur Budak nga Turqia”.
Ndërkaq, edhe Gjakovës i vajti mirë deri te beteja me Maxime Gobertin, nga i cili u mund, por megjithatë, ai arriti sukses duke siguruar bronzin.
“Në xhiron e parë Akili mposhti me Yuko, Kyprianos Andreou nga Qipro. Në çerekfinale ai humbi me 2 Yuko nga Maxime Gobert nga Franca”.
“Në luftën e parë të repasazhit Akili mposhti me Ippon, Alexandre Bucur nga Portugalia”.
“Në luftën e dytë të repasazhit Gjakova mposhti me 3 denime për Ippon, garuesin Robert Klacar nga Kroacia”.
“Për medaljen e bronztë, Akili mposhti me Ippon, Bilal Ciloglu nga Turqia dhe i siguroi Kosovës medaljen e bronztë në këtë garë”.