Lajmet e fundit

Një grua në muajin e shtatë të shtatzënisë, ka vdekur në Pogradec, rrugës për në spital, ndërsa familjarët e saj kanë bërë një denoncim në polici për neglizhencë mjekësore dhe vonesë në trajtim nga bluzat e bardha të Pogradecit.
Marjana Karolina Bunaj, një 37-vjeçare me origjinë nga Mirdita, u paraqit rreth orës 1 të mëngjesit të sotëm, në spitalin e Pogradecit, ku jetonte pas martesës.
Veprimi i saj i parë ishte të telefononte motrën, e cila jeton në Pogradec, që e shoqëroi me makinë private në maternitet.
"Në orën 12 më merr motra në telefon dhe më tha: hajde më merr se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë", thotë e motra, Albina Mekolli.
Sipas burimeve nga materniteti atje, ajo ka pasur dhimbje të forta të barkut dhe është futur në reanimacion, ku i është dhënë edhe gjak për shkak të gjendjes së rëndë.
"Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. I vunë vigonë për serume dhe gjak, thoshin s’mund ta çojmë kështu, nuk e di", thotë e motra.
Sipas familjarëve, sapo gjendja e rëndë e saj u konstatua, mjekët kanë diskutuar edhe transportimin e me helikopter drejt Tiranës, por kjo nuk u realizua për shkak të errësirës.
"Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka gjakderdhje të brendshme. Ajo tha duhet ta çojmë për Tiranë. U mblodhën të gjithë, ajo tha duhet çuar sa më parë. Dëgjova që po thonin për helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë", thotë Albina Mekolli.
Mjekët vlerësuan ta transferojnë drejt Tiranës për trajtim të specializuar rreth orës 4.30 të mëngjesit, pra 3 orë më vonë, por rrugës, gjendja e 37-vjeçares është rënduar, ndaj ambulanca u kthye në spitalin më të afërt në Elbasan, aty ku ndërroi jetë.
Motra bëri denoncim në komisariatin numër 4 në Tiranë, për të zbuluar të vërtetën e vdekjes së 37-vjeçares, nëse mjekët zbatuan apo jo ptrotokollet për gjendjen e saj, dhe nëse vepruan apo jo në kohë. Sipas saj, nëse do të ishte trajtuar më herët, do të kishte shpëtuar.
"Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, thotë motra e saj, Albina Mekolli.
Kallëzimi i ka kaluar prokurorisë së Pogradecit.
Trupi i pajetë i vajzës që priste të bëhej nënë për herë të parë ndodhet për ekspertizë mjeko-ligjore në morgun e Tiranës.
Bashkëshorti kishte pak ditë që ishte larguar në Amerikë, ku ndodhej me familjen e tij, dhe priste të merrte për herë të parë edhe gruan.
Për rastin reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë dhe njoftoi se ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mënyrës si është trajtuar pacientja, duke përfshirë çdo hap nga paraqitja e saj në spital deri në përfundimin e trajtimit./Shqiptarja