Lajmet e fundit

Vdiq Mlladiqi. Ky mesazh jehoi në internet të enjten. Boshnjakët që i njoh nxituan të më njoftonin, për shkak të përvojave të mia personale në Bosnjë dhe sepse e dinin se e kisha takuar atë. Për shumë prej tyre, gjenerali Ratko Mlladiq ishte një kasap psikopat, i cili në mënyrë famëkeqe udhëhoqi gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Nga viti 1992 deri më 1993, unë isha komandant i batalionit britanik në Bosnjë dhe më është kërkuar të them se çfarë ndiej për vdekjen e gjeneralit Mlladiq dhe për krimet mbi të cilat ai kishte përgjegjësi.
Në fillim të viteve 1990, Mlladiqi komandonte ushtrinë serbe të Bosnjës, e cila e kishte rrethuar Srebrenicën që nga viti 1992. Kur mbërrita për herë të parë në Bosnjë, duke komanduar Batalionin e Parë të Regjimentit Cheshire, Mlladiqi e kishte vendosur qytetin nën një rrethim të hekurt dhe shumë pak gjëra hynin apo dilnin prej tij.
Përfundimisht, në korrik të vitit 1995, ai dha urdhrin për pushtimin e Srebrenicës. Teksa e bëri këtë, ai veçoi burra dhe djem, të cilët më pas u transportuan me kamionë jashtë qytetit, në vende të izoluara, ku u pushkatuan në grupe, në një mënyrë të ngjashme me Einsatzgruppen naziste që vepronin në atë zonë 50 vjet më parë.

Foto: David Turnley/Corbis/VCG via Getty Images
Të paktën 8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga ushtria serbe e Bosnjës, sipas Qendrës për Kërkime dhe Dokumentim me bazë në Sarajevë. Katër herë kam vizituar varrezat rrëqethëse dhe solemne pak jashtë qytetit, ku mijëra viktima prehen të rreshtuara.
Unë nuk isha në Bosnjë në korrik të vitit 1995, por kur mbërrita atje dy vjet më herët, e kuptova shumë mirë gjendjen e rëndë të Srebrenicës, ndonëse ajo ishte shumë jashtë zonës sime të përgjegjësisë. Kisha mjaftueshëm punë edhe me detyrat e mia.
Më pas, në prill të vitit 1993, situata atje u përkeqësua. Seksioni im i inteligjencës më njoftoi se po merrte thirrje të dëshpëruara për ndihmë përmes radios komerciale nga një stacion radiofonik. Thirrjet për ndihmë ishin tronditëse.
Srebrenica po bombardohej pa mëshirë nga lartësitë përreth qytetit. Banorët po vuanin nga uria dhe ishin të izoluar. Ata ndiheshin të braktisur nga bota. Në të vërtetë, njerëzit atje ishin si peshq në një fuçi. Kur situata bëhej e padurueshme për disa prej tyre dhe ata përpiqeshin të arratiseshin, shanset e tyre ishin të vogla. Çdo burrë që kapej zakonisht pushkatohej në vend nga njerëzit e Mlladiqit.
Mbaj mend se isha shumë i zemëruar dhe ndihesha i pafuqishëm. Gjenerali Philippe Morillon, komandanti francez i Kombeve të Bashkuara dhe eprori im, ndihej njësoj. Ai më kërkoi të përpiqesha të fusja disa nga njerëzit e mi në Srebrenicë dhe të shihja nëse prania jonë do të ndihmonte.
I thashë se do të përpiqesha, por Srebrenica ishte shumë jashtë zonës sime. Baza më e afërt që kisha me Srebrenicën ishte në Tuzlla, e cila ishte 34 milje (gati 55km) larg në vijë ajrore, ndonëse me rrugë distanca ishte më shumë rreth 50-55 milje (gati 90km), pasi terreni ishte shumë malor.
Shkuarja kaq larg jashtë zonës sime ishte përtej mandatit tim, ndaj i kërkova Shtabit të Forcave Tokësore të Mbretërisë së Bashkuar në Angli të më lejonte të provoja. Mora një përgjigje mjaft të ashpër, në kuptimin se mund të provoja, por përgjegjësia do të ishte e imja. U ndjeva vërtet shumë i mbështetur!
Megjithatë, Skuadroni i mrekullueshëm B Lancers 9/12 ishte nën kontrollin tim operacional dhe ishte i pozicionuar pranë Tuzllës. I kërkova komandantit të tij, majorit Alan Abraham, të shihte nëse mund të arrinte në Srebrenicë dhe ai pranoi të përpiqej.
Skuadroni kaloi vijat e frontit pranë Tuzllës dhe iu deshën dy ditë për t'iu afruar Srebrenicës përmes kushteve jashtëzakonisht të këqija atmosferike. Ata arritën në fshatin e vogël Konjevic Pole, rreth nëntë milje nga Srebrenica (rreth 9km), dhe më pas u ndalën për të pushuar. Menjëherë, pasi panë automjetet e bardha të Kombeve të Bashkuara që po mbërrinin, një numër i madh banorësh dolën nga shtëpitë e tyre dhe rrethuan automjetet. Ata u gëzuan, duke menduar se komuniteti ndërkombëtar kishte ardhur në ndihmë të tyre.

Pastaj, papritur, e gjithë zona u vu nën bombardim artilerie. Skuadroni kishte njëfarë mbrojtjeje në automjetet e blinduara, por civilët e pambrojtur përreth tyre nuk kishin. Rreth 20 prej tyre u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Një mjek i Organizatës Botërore të Shëndetësisë punoi me guxim jashtë automjeteve tona, duke u përpjekur të ndihmonte të plagosurit. Dëgjova se, në një moment, atij iu desh të priste me një palë gërshërë mbetjet e këmbës së një fëmije. Edhe të tjerë në Skuadronin B treguan të njëjtin guxim. Patëm fat që asnjë ushtar nuk u vra.
Skuadroni B vazhdoi rrugën drejt Srebrenicës, ku u prit krahëhapur si çlirimtar. Bombardimet u ndalën disi, por jo plotësisht. Të nesërmen, gjenerali Morillon mbërriti me helikopter dhe u prit me brohoritje nga të gjithë. Pas pak, ai njoftoi mes brohoritjeve të mëdha se Srebrenica do të shpallej “zonë e sigurt”. Kjo u pasua nga formalizimi i fjalëve të tij nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 819, më 16 prill 1993.
Meqë ishim shumë larg zonës sonë dhe ishim të angazhuar në shumë drejtime, shumë shpejt u zëvendësuam nga trupat kanadeze të Kombeve të Bashkuara. Më vonë, edhe ata u zëvendësuan nga trupat holandeze, të cilat ishin krejtësisht të paafta për ta ndaluar gjenocidin dy vjet pasi unë kisha qenë atje. Batalioni im u largua nga Bosnja në fillim të majit 1993.
Në fund, Mlladiqi nuk i kushtoi shumë vëmendje Këshillit të Sigurimit. Kombet e Bashkuara nuk kishin mjaftueshëm trupa në atë zonë për ta ndaluar dhe ai vazhdoi të bombardonte dhe të vriste ata që kapte, derisa qyteti u pushtua në vitin 1995. Në të vërtetë, Mlladiqi ishte përgjegjës edhe për shumë më tepër vdekje sesa 8,372 të shënuarat zyrtarisht.
Gjenerali Ratko Mlladiq ishte një njeri i lig, i cili lejoi që gjenocidi të ndodhte. Nuk ndiej kënaqësi për vdekjen e askujt, por për Mlladiqin nuk derdha asnjë lot.
Koloneli Bob Stewart dhe Quentin Drummond Anderson aktualisht po përfundojnë një libër për guximin, në të cilin do të trajtohen edhe organizata joqeveritare si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Bosnjë
Shkrimi origjinal është botuar në “The Telegraph”, dhe është përkthyer e përshtatur nga Klankosova.tv
