10:17, 23 Maj 2020

12 policët që u infektuan me koronavirus në Prizren janë me shëndet të mirë dhe që të gjithë janë në shtëpitë e tyre.

Sot do të testohen edhe 25 persona që dyshohet se kanë pasë kontakt me këta 12 policë, përfshirë edhe kolegë të tyre policë, njofton Klan Kosova.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, tha për klankosova.tv se dy nga 12 policët e infektuar janë nga komuna e Suharekës, ndërsa 10 të tjerët nga komuna e Prizrenit.

Ai njoftoi se një police që doli pozitive dje nga fshati Romajë e Prizrenit i është dashur që të merr terapi në shtëpinë e saj, pasi ka qenë me terapi infuzive.

“Dje ekipet urgjente kanë shkuar në Romajë te një police që ka dalë pozitive. Ajo ka qenë në terapi infuzive dhe ne kemi qenë në dijeni për këtë. Asaj i është vendosur terapia në shtëpinë e saj”.

Shehu tha se nga testimet e bëra të kontakteve të punëtorit të Hidroregjionit asnjë nuk ka rezultuar pozitiv për koronavirus.

19 nga 61 të testuarit mbrëmë në Prizren kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Rastet pozitive janë: 5 familjarë, 10 punonjës policor, 3 punonjës të një ndërmarrje private dhe 1 rast i referuar nga Klinika Infektive.

Në Prizren gjithsej janë 120 të infektuar, 67 të shëruar dhe 2 kanë humbur jetën.

Konkurs Pune

Lexo më shumë