Dumoshi takohet me komunitetet joshumicë, iu premton projekte që janë në interes të tyre

Dumoshi takohet me komunitetet joshumicë, iu premton projekte që janë në interes të tyre

NULL NULL
7 muaj më parë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me grupin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës 6+, me të cilët ka diskutuar për projekte në të cilat pritet që MKRS-ja të investojë, me theks, ato që janë në interes të qytetarëve të komuniteteve jo shumicë.

Dumoshi diskutoi me deputetët për tema dhe projekte që kanë të bëjnë për diversitetin dhe dialogun kulturor mes komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, trashëgiminë kulturore, restaurimin e objekteve, në veçanti në Prizren si dhe për bashkëpunimin, subvencionet në kulturë, rini e sport për këto komunitete, njofton Klan Kosova.

Me këtë rast Dumoshi tha se në vazhdimësi MKRS-ja i trajton me kujdes dhe prioritet projektet që kanë të bëjnë dhe që janë në interes të komuniteteve.

“Komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë janë një pasuri e vendit tonë të cilat bëjnë që diversiteti të jetë një ndër vlerat që çmohet e respektohet juridikisht e konkretisht. Vazhdimisht ministra të cilën unë e udhëheq i ka përkrahur projektet e idetë që janë në dobi të komuniteteve jo shumicë dhe me mbështetjen e saj MKRS-ja ka nxitur dialogun kulturor mes komuniteteve me qëllim të ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe shmangies së keqkuptimeve”.

Ndërkaq, deputetët e komuniteteve joshumicë, të Grupit Parlamentar 6+ e falënderuan ministren për pritjen dhe shprehën mirënjohjen e tyre për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe përkrahur komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë.

Deputetët i paraqitën sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet që ata përfaqësojnë dhe e informuan ministren për prioritetet që presin t’i përkrahë MKRS-ja. Ata thanë se pas rishikimit të buxhetit do të jetë një pasqyrë më e qartë rreth projekteve për kulturë, rini dhe sport.