“Duam paratë tona”: Kryeqyteti ia kërkon MF-së 29 milionë eurot e bllokuara (VIDEO) NULL NULL nga Agnesa Sahiti 08.04.2023 19:48 nga Agnesa Sahiti 08.04.2023 19:48 Rruga A mund të mos nisë as sivjet. Kjo nëse fondet e pashpenzuara të Komunës së Prishtinës, nuk barten në kuletën e saj, por i kalojnë asaj të shtetit, siç po zotohet Ministria e Financave. Ky është njëri nga 172 projektet që pengohen, nëse bllokohen 28.8 milionë euro të bartura nga viti 2021 në buxhetin e 2022-ës, raporton Ju Flet Prishtina. “…duke përfshirë edhe projekte madhore siç është Rruga A, salla multifunksionale e sportit e shumë rrugë të tjera, e investime kapitale, shkolla e çerdhe. Ne jemi të shqetësuar normalisht, dhe kemi bërë kërkesë publike që të hollat të barten sikur vitet e tjera”, u shpreh Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë brenda javës së ardhshme, sa është afati ligjor i kërkesës nga komunarët, këta të fundit do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. “Ju flet Prishtina” ka nisur pyetje drejtuar Ministrisë së Financave për këtë çështje por nuk ka marrë përgjigje që nga e enjtja. E ministri i këtij dikasteri, Hekuran Murati, ka shkruar në një postim në Facebook se pretendimi që po bllokohen investimet është totalisht joserioz, pasi, sipas tij, Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e ndara për investime kapitale. E nga shoqëria civile thonë se nuk ka ligj që ia lejon nivelit qendror t’i bllokojë mjetet vetanake të komunave. “Në ligjin për menaxhimin e financave publike, neni 27 i cili është edhe i ndryshuar, nuk parasheh kategori të ndryshme të të hyrave vetanake, të cilat kategorizohen të themi sipas viteve, aty vetëm flitet për të hyra vetanake, njëjte edhe të plani kontabël e shohim që e kemi një kategori kryesore të të hyrave vetanake”, u shpreh Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP. Ai thotë se edhe vetë qeveria s’ka shpenzuar për investime kapitale gjatë 2022-ës. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS