Lajmet e fundit

Një moment i veçantë është shënuar në kryeqytetin spanjoll Madrid, ku dy prej emrave më të njohur të muzikës, Dua Lipa dhe Shakira, janë ngjitur së bashku në skenë, duke dhuruar një performancë që tërhoqi vëmendjen e publikut.
Gjatë këtij takimi të veçantë muzikor, Dua Lipa zgjodhi të interpretojë “Antología”, një prej këngëve të hershme dhe më të dashura të repertorit të Shakirës. Këngëtarja shqiptare e këndoi këngën e plotë, duke sjellë një interpretim emocional të një prej krijimeve më të njohura të artistes kolumbiane.
Ky event mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet tashmë kanë marrë dhenë në rrjet dhe janë shpërndarë goxha shumë.
Në momentet e para të performancës, Shakira u pa duke vendosur dorën në zemër, teksa dëgjonte Duan duke kënduar këngën e saj. Reagimi i saj i emocionuar u shoqërua me duartrokitjet dhe entuziazmin e publikut.
Më pas, dy këngëtaret u bashkuan në skenë dhe vijuan ta interpretonin “Antología” së bashku, të shoqëruara nga një orkestër live.
Prania e dy artisteve në të njëjtën skenë dhe interpretimi i papritur i një prej këngëve më të njohura të Shakirës krijuan një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes në Madrid, duke u pritur me shumë entuziazëm nga publiku.