8:30, 11 Shkurt 2019

Dua Lipa u shpërblye me dy çmime Grammy natën e mbrëmshme në ceremoninë e “Grammy Awards”.

Ajo fitoi çmimin për “Artisten e re më të mirë” dhe “Këngën më të mirë për zhanrin Dance”.

Dua tha se ishte “nervoze dhe mirënjohëse” derisa pranoi çmimin për “Artisten e re më të mirë”, një nga katër shpërblimet më të mëdha të natës.

23 vjeçarja nga Kosova falënderoi të gjitha gratë që ishin të nominuara në këtë kategori duke shtuar se “këtë vit kemi përparuar me të vërtetë”.

Komenti ishte një thumb për presidentin e Grammys, Neil Portnow, i cili vitin e kaluar u përpoq të shmangë kritikat për mungesën e grave fituese duke thënë se gratë duhet të “ecin përpara” në mënyrë që të konsiderohen.

Duke folur në prapaskenë, Dua Lipa tha “Të jesh e nominuar në kategorinë për ‘Artisten e re më të mirë’ kur ka kaq shumë artiste gra të nominuara në këtë kategori është një ndryshim i madh – është një ndryshim që duam të shohim në vitet e ardhshme. Është një ndryshim i madh nga vitet e kaluara, kjo duket e drejtë sepse ka kaq shumë artiste që unë i dua dhe admiroj”.

Në ndërkohë, Kacey Musgraves fitoi çmimin për “Albumin më të mirë të vitit”.

Musgraves ia ka dedikuar çmimin “bashkëshortit të saj të ëmbël” me të cilin është dashuruar derisa po punonte në këtë album.

Ajo fitoi gjithsej katër çmime me “Golden Hour”, albumin e saj të tretë i cili kombinon muzikën country me elemente të psikodelisë.

Lady Gaga ka fituar tri çmime – “Performancën më të mirë të zhanrit pop” për “Joanne” dhe “Duetin më të mirë në zhanrin pop” për “Shallow” – kolonën zanor te filmit të nominuar për çmimin Oscar “A Star Is Born”.

Gaga, mes lotëve, ka falënderuar Bradley Cooper, kolegun e saj dhe regjisorin, i cili nuk ishte pjesë e Grammys për të qenë pjesë e The Baftas në Londër.

Ajo po ashtu në fjalimin e saj ka theksuar mesazhin që filmi përçon për shëndetin mendor duke i thënë audiencës “Nëse sheh dikë që po e lëndon, mos e nënvlerëso”.