Dua Lipa bëhet Ambasadore Nderi e Kosovës (FOTO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dua Lipa bëhet Ambasadore Nderi e Kosovës (FOTO)

NULL NULL
05/08/2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka emëruar Ambasadore Nderi të Republikës së Kosovës këngëtaren me famë botërore, Dua Lipën.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë që Lipën e ka falënderuar për gjithçka që ka bërë dhe po bën që “zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”.

“Sot, Dua Lipës ia ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për gjithçka që ka bërë dhe po bën që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë. Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill”.

Tutje Osmani ka përsëritur mesazhin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Prandaj sot në presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherësh është edhe moto e edicionit të sivjetmë të festivalit Sunny Hill”, ka thënë Osmani.

Nuk dihet nëse presidentja Vjosa Osmani e ka ndjekur performancën e Dua Lipës mbrëmë në Sunny Hill, ani se ajo për këtë festival i kishte ftuar presidenten e KE-së Ursula von der Leyen, presidentin e KiE-së Charles Michel dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Osmani i fton Michelin, Macronin dhe Von der Leyen në “Sunny Hill” (VIDEO)