Lajmet e fundit

Plakja konsiderohet se është një nga sukseset më të mëdha të njerëzimit. Por, në shumë raste, vitet e shtuara shoqërohen me një problem që shpesh mbetet i padukshëm: vetmia dhe izolimi shoqëror.
Një person i moshuar mund të jetë i rrethuar nga njerëz dhe përsëri të ndihet i vetmuar.
Fëmijët mund të jetojnë larg, miqtë e tyre mund të jenë ndarë nga jeta, ndërsa daljet dhe aktivitetet shoqërore mund të jenë bërë më të rralla.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron izolimin shoqëror dhe vetminë si faktorë të rëndësishëm të shëndetit. Sipas të dhënave të publikuara nga OBSH-ja, rreth 11.8% e të moshuarve përjetojnë vetmi, ndërsa lidhjet e mira shoqërore janë të rëndësishme për shëndetin fizik, mendor dhe cilësinë e jetës.
Studimet më të reja po e bëjnë këtë lidhje edhe më të qartë. Një studim i publikuar në Nature në shtator 2026, që analizoi të dhënat e rreth 4,000 të moshuarve (në Angli), gjeti se vetmia kronike lidhej me rezultate më të dobëta në shëndetin e përgjithshëm, aftësinë funksionale dhe mirëqenien mendore. Studimi gjithashtu vërejti se përmirësimi nga izolimi shoqëror shoqërohej me përmirësime në mirëqenien mendore dhe në disa tregues të funksionimit njohës.
Truri ka nevojë për aktivitet po aq sa trupi
Plakja e shëndetshme nuk lidhet vetëm me sëmundjet fizike. Edhe ruajtja e funksioneve njohëse është një pjesë e rëndësishme e cilësisë së jetës.
Në korrik 2026, OBSH publikoi udhëzime të përditësuara për reduktimin e rrezikut të rënies njohëse dhe demencës. Udhëzimet theksojnë rëndësinë e aktivitetit fizik, ushqyerjes së shëndetshme, kontrollit të tensionit të lartë, diabetit dhe kolesterolit, si dhe angazhimit në aktivitete sociale dhe stimulimit njohës.
Kjo do të thotë se kujdesi për trurin nuk fillon vetëm kur shfaqen problemet e kujtesës. Leximi, mësimi i gjërave të reja, bisedat, lojërat, aktivitetet kulturore, ecja dhe ruajtja e marrëdhënieve me të tjerët mund të jenë pjesë e një stili jetese që mbështet plakjen e shëndetshme.
Vlen ta theksojmë se sot është dita ndërkombëtarëve e të moshuarve. Mesazhi i Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar 2026 nënvizon pikërisht këtë dimension: jetëgjatësia duhet të shoqërohet me mundësi për pjesëmarrje, siguri, dinjitet dhe kontribut në shoqëri.