Lajmet e fundit
Nëntë personat e arrestuar sot në Zubin Potok, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, janë ndaluar për 48-orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D.
Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësi të tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar bastisje në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut, raporton Klankosova.tv
Gjatë aksionit janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, municion, katër predha, rreth 23 mijë euro dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, riafirmojnë përkushtimin dhe angazhimin në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës”, thotë PSRK./Klankosova.tv