11:02, 12 Shtator 2019

Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka theksuar se po i përcjellë me shqetësim ballafaqimet e kandidatëve në debate publike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të  6 tetorit.

“Liria e fjalës paraqet një ndër liritë fundamentale të njeriut, por e njëjta kufizohet në momentin e cenimit të të drejtave fundamentale të të tjerëve. Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik”.

“Për më tepër, dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare”.

DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike. Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave.

“Demokracia në Veprim” fton policinë  që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut.

“Institucionet e sigurisë duhet të garantojnë kushte për fushatë politike të qetë, me mundësi të barabarta për të gjitha subjektet politike për paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore”, thuhet në reagimin e DnV-së .

Konkurs Pune

Lexo më shumë