Diskutohet për rëndësinë e sigurisë në punë – pritet të punësohen edhe 20 inspektorë NULL NULL 15.05.2019 20:12 15.05.2019 20:12 Gjatë ditës së sotme në Prizren u mbajt një panel diskutimi me temën “Rëndësia e sigurisë në punë”, që ishte nën organizimin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha, ka thënë se synohet që të rritet numri i inspektorëve. “Është zotim i yni që brenda këtij viti të rrisim numrin e inspektorëve dhe besoj se deri në fund të vitit do t’i kemi edhe 20 inspektorë të rinj”, është shprehur Berisha. Në anën tjetër, Libor Chlad, zëvendësshef për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka deklaruar se situata e sigurisë në punë në Kosovë mbetet ende e panjohur. “E panjohur, pasi nuk ka regjistrim të strukturuar të aksidenteve në punë dhe ekziston një nevojë urgjente për të zhvilluar një sistem të bazuar në akte ligjore për të regjistruar të gjithë aksidentet në punë me 3 dhe më shumë ditë pune të humbura siç bëhet në të gjitha vendet e BE-së, sipas Metodologjisë së Statistikave Evropiane për Aksidentet në Punë (ESAË)”, është shprehur Chlad. Ndërsa, sipas zëvendëskryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Kosovë, Agim Millaku, është në të mirën e punëmarrësve që të marrin masat adekuate për t’i mbrojtur punëtorët e tyre. “Në rast të ndonjë aksidenti, dëmet janë shumë më të mëdha për punëdhënësin sesa kursimi që ka tentuar ta bëjë duke mos i blerë pajisjet e nevojshme për mbrojtje të punëtorëve”, është shprehur Millaku në Ferizaj, në tryezën e rrumbullakët me temën “Rëndësia e sigurisë në punë”. Eksperti për Siguri dhe Shëndet në Punë, Bekim Doli, i certifikuar edhe nga Inspektorati i Punës, ka demonstruar shpjeguar në detaje para ndërtuesve në Prizren, për masat që duhet të marrin në vend punishte. “Ndërtimi është aktivitet ku lëndimet janë të shpeshta dhe të përditshme, dhe numri i tyre është gjithnjë e më i lartë. Ndërtimtaria prin si sektori me numrin më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në punë si pasojë e pasigurisë, që vjen kryesisht nga mungesa e trajnimit të punëtorëve dhe nga mosrespektimi i rregullave bazë të sigurisë në punë”, ka thënë Doli. Ky panel diskutimi është organizuar në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian”, që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ,në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.