Lajmet e fundit

Dirk Schuebel ka nisur detyrën e tij si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer njëkohësisht si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së (EUSR).
Schuebel është zyrtar i lartë i BE-së dhe shtetas gjerman, me përvojë të gjatë diplomatike dhe një karrierë të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Ai tha se pret me padurim bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.
“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për të ndihmuar një Kosovë multietnike të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në kushte të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.
Ai theksoi se do ta mbështesë të ardhmen evropiane të Kosovës dhe angazhimin e saj konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Schuebel tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës.
Sipas tij, BE-ja ka ofruar mbi 3.7 miliardë euro ndihmë për Kosovën, përfshirë mbështetjen për rindërtim, ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.
“Bashkë mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim të prekshëm për të gjithë qytetarët e saj”, shtoi ai.
Ambasadori i ri i BE-së bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke vlerësuar se kjo do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte ndihmën në dispozicion.
“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe fondet e ardhshme të rëndësishme IPA”, tha Schuebel.