Lajmet e fundit
Kosova sot zbret në fushë për ndeshjen e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve, ku në Vjenë do të përballet me Austrinë.
Për këtë përballje pritet të ketë një numër të madh të tifozëve shqiptarë në stadium, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës për të mbështetur "Dardanët".
Nga Vjena ka raportuar gazetari i sportit, Andi Shabani, i cili ka treguar për atmosferën para ndeshjes dhe mbështetjen e madhe që po i bëhet Kosovës.
“Shumë shqiptarë kanë ardhur anë e kënd botës dhe kanë vetëm një dëshirë, që sonte Kosova të arrijë fitoren ndaj Austrisë. Është një ndeshje që ka marrë shumë vëmendje, pasi Kosova dhe Austria shihen si favorite për pozitën e parë në grup. Dardanët janë më të motivuar se kurrë, pas triumfit ndaj Irlandës të enjten”, tha Shabani.
Kosovës në këtë ndeshje do t’i mungojë Albian Hajdari, i cili është jashtë për shkak të lëndimit.
Përveç tij, jashtë listës kanë mbetur edhe Muharrem Jashari, Meriton Korenica dhe Lindon Emërllahu.
Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës zhvillohet sonte nga ora 18:00 në Vjenë./Klankosova.tv