Dialogu në Bruksel: Kosova ka marrë ftesë por ende nuk i është përgjigjur

Dialogu në Bruksel: Kosova ka marrë ftesë por ende nuk i është përgjigjur

NULL NULL
4 javë më parë

Qeveria e Kosovës ka marrë ftesë për takimin e ardhshëm në Bruksel në nivelin e liderëve për dialogun me Serbinë, njofton Klan Kosova.

Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit, Avdullah Hoti.

“Ftesën e kemi marrë. Akoma nuk iu kemi përgjigjur. Kaq mund të ju them tani për tani”, ka thënë shkurt Beqiri.

I pyetur se cilat janë datat zyrtare të këtij takimi ai tha se rreth kësaj nuk mundet të jap detaje.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje për klankosova.tv ka thënë se ende nuk ka datë zyrtare të vazhdimit të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Datat e takimeve të ardhshme si në nivel të ekspertëve ashtu edhe në nivel të lartë do të bëhen publike shumë shpejt”, ka thënë ai për klankosova.tv.

Pyetur nëse temë e diskutimeve do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Stano është përgjigjur: “Në javën që shkoi është diskutuar në nivel ekspertësh për çështjen e pretendimeve financiare të të dyja palëve. Takimi i ardhshëm për aranzhimin e çështjes së komuniteteve jo shumicë do të mbahet në ditët në vijim”.

Ndërsa kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, sot në një konferencë për media ka deklaruar se tema e asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të diskutohet në dialog me Serbinë.

“Asociacioni, kjo temë nuk diskutohet sepse është e mbyllur në marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër e parimeve e vitit 2015 që në fakt e përmirëson atë të vitit 2013. Kjo nuk është temë që do të hapet në procesin e dialogut”.

“Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel apo jo, do ta shohim në ditët e ardhshme. Ne jemi të vendosur që ta qojmë përpara procesin e dialogut sepse është interes strategjik i Kosovës dhe i rajonit që sa më shpejt të përmbyllet ky proces”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dje Beogradi është i gatshëm për bisedime me Prishtinën në Bruksel dhe se Asociacioni i Komunave Serbe është një temë e pashmangshme.

“Ne jemi gati të flasim. Komuniteti i komunave serbe është një temë e pashmangshme dhe ne do të këmbëngulim për këtë,” tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët nëse do të kishte një takim në Bruksel më 28 shtator, pas raportimeve se mund të shtyhet takimi.