Lajmet e fundit

Autoritetet franceze bëjnë të ditur se 440 persona, kryesisht të mitur, janë arrestuar dhe 76 të tjerë janë lënduar, ndërsa një valë protestash shkollore kundër klasave të mbipopulluara dhe mungesës së mësuesve po përhapet në të gjithë Francën.
Demonstratat nisën në Paris javën e kaluar, por janë shtrirë edhe në qytete si Dijon, Lion, Strasburg, Lille dhe Marseille, ku adoleshentët kanë bllokuar hyrjet e shkollave prej disa ditësh, shkruan BBC, transmeton klankosova.tv.
Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, deklaroi se ndonëse disa nga kërkesat e nxënësve ishin të arsyeshme, ajo që e shqetësonte ishte dhuna.
Ai përmendi rastin e një të riu që humbi funksionin e një pjese të dorës pasi ndezi një fishekzjarr të fuqishëm (të tipit mortajë). Sipas tij, mes dhjetëra personave të lënduar që nga fillimi i protestave kishte si nxënës, ashtu edhe personel shkollor.
Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme (USL) njofton se janë bllokuar rreth 400 nga 3.700 gjimnazet franceze për grupmoshën 15-18 vjeç dhe ka bërë thirrje për veprime të mëtejshme të enjten, përfshirë edhe në universitete.
Zjarrfikësit ndërhynë në Strasburg pasi u vunë flaka koshave të mbeturinave jashtë një shkolle, ndërsa në Dijon policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë dhjetëra nxënës, raportuan të mërkurën mediat franceze.