Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Deri në 6 muaj nuk paguhen punëtorët e sigurimit në MKRS”, akuzon një ish-roje këtë ministri (VIDEO)

NULL NULL
nga Florentina Hoti 07.12.2023 19:44
Kiks Kosova

Roja i sigurisë që Ministria e Kulturës largoi nga puna pasi shpërtheu një gyp uji në një nga zyrat e katit të dytë të saj, është i bindur se ai u bë kurban i të tjerëve.

Dyshimin se largimi i tij nga puna ndodhi në mënyrë të padrejtë, Korab Rudarit ia forcoi shtytja që mori nga zyrtarë brenda institucionit.

Në ditët kur ai po kërkonte me ngulm një përgjigje ligjore mbi largimin e tij nga puna, të vetmen gjë që ata i thanë ishte që të drejtën e tij ta kërkonte përmes ligjit.

Korab Rudarit nuk po i shqitej nga mendja fakti se ministria e largoi nga puna vetëm me një njoftim me postën elektronike, kështu që ai insistonte ta takonte zëvendëssekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Xheladin Krasniqi.

Por ai nuk e pranoi asnjëherë në zyrë për të biseduar. Refuzimi për ta pritur në zyrë nuk e zmbrapsi Rudarin, ai e kontaktoi edhe përmes telefonit Krasniqin.

Mirëpo, siç pretendon Korabi, gjatë kësaj bisede, Krasniqi e ofendoi atë. Për të vërtetuar këto që thotë Rudari, KIKS Kosova ka dërguar pyetje në postën elektronike të Xheladin Krasniqit, mirëpo edhe pse kanë kaluar ditë nga kërkesa e Kiksit, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Pakënaqësitë kundrejt institucionit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Korab Rudari i kishte të akumuluara edhe prej më herët.

Për KIKS-in, Rudari tha se pas skadimit të kontratave gjashtëmujore, rojet e sigurisë së këtij objekti i kalonin edhe 6 muaj të tjerë duke punuar pa rroga.

Një gjë të tillë, ai bashkë me kolegët e tij e pranonin vetëm e vetëm që të mos humbisnin vendin e punës.

Sipas Rudarit, në momentin që nënshkruhej kontrata, kompensimi për muajt e papaguar thjesht kthehej në zero. KIKS Kosova ka kërkuar të marrë edhe qëndrimin e ministrisë për të gjithë akuzat që Korab Rudari ka bërë ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por ende nuk i kemi marrë ato.

Përmes një mesazhi në telefon, ministria vetëm ka konfirmuar se janë duke i përgatitur përgjigjet më shkrim.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.