15:47, 27 Mars 2020

Stafi i spitalit rajonal të Lezhës, konkretisht pavioni i ortopedisë mund të marrin frymë lirisht pasi i gjithë personeli i spitalit rezultuan negativ nga virusi i ri, pas publikimit të rezultateve të testeve që ata kryen.

Shoqata e Infermierëve Lezhë ka njoftuar pak minuta më parë se rezultati i testit për personelin e Spitalit Lezhë është negativ për COVID-19. Lajmin e mirë e ka bërë të ditur Ledion Prendi në faqen zyrtare të Shoqatës.

“Lajm i mirë për të gjithë personelin e spitalit Lezhë, që rezultoi negativ në testin e bërë për Covid-19. Zoti ju ruajt dhe mirënjohje pafund për punën tuaj humane dhe me vlera jetësore. Kam ndjerë këto dy ditë çdo shqetësim tuajin në mesazhet që më keni bërë, e s’mundem dot pa gëzuar për secilin prej jush si të isha dhe unë në mesin tuaj”.

Dyshohej se një paciente, e cila ndodhej e shtruar në këtë repart dhe që kishte kryer dhe një ndërhyrje kirurgjikale rezultoi e prekur nga koronavirusi dhe kështu mund të kishte infektuar të gjithë stafin mjekësor.

Nga 4 raste infeksioni të regjistruara në këtë qark, 3 janë në radhët e bluzave të bardha. Përkatësisht 2 infermiere dhe një sanitare të spitalit të Lezhës. I katërti është një qytetare me histori udhëtimi në Itali, por që ua kishte mbajtur të fshehtë mjekëve.

Konkurs Pune

Lexo më shumë