Lajmet e fundit

6 tetori shënon debatin e madh për Prishtinën, ku kandidatët për kryetar të kësaj komune, përballen me njëri-tjetrin në “Rubikon” me Adriatik Kelmendin.
Kandidati i VV-së për të parin e kryeqytetit, edhe pse deklaroi vet se është i gatshëm të shkojë në të gjitha debatet, partia e tij vendosi ndryshe për të dhe dje njoftuan që nuk marrin pjesë, transmeton Klankosova.tv
Megjithëse, autori i emisionit deklaroi sot në “Kosova Today” se nuk ka marrë konfirmim nga Çeku, nëse ai s’do të jetë pjesëmarrës në këtë ballafaqim.
Kelmendi tha se “Unë ende nuk kam dëgjuar nga zotëri Çeku, për hir të korrektësisë, që ka thënë vet që nuk vjen. Nga zotëri Çeku, deri tash, ne e kemi parë edhe në deklarimet publike ai ka thënë se do të jetë prezent në secilën studio”.
“Nuk mund më të mashtrohen votuesit, ndoshta siç ka qenë mundësia më herët. Janë kërkues, kërkojnë t’i shohin kandidatët, kërkojnë t’i lexojnë programet, kërkojnë t’i dinë ekipet, kërkojnë të flitet me shifra, kërkojnë që të ketë çështje konkrete për diskutim, kërkojnë sesi të lidhen me premtimet e tyre. Kështu që së paku do të duhej edhe në mënyrë të veçantë, por edhe në ballafaqim me të tjerët që t’i tregojnë të gjitha anët e tyre, edhe karakterin, edhe të premtimit, edhe të zotimit, edhe të vullnetit, edhe të seriozitetit, është humbje domethënë, dhe kam frikë se do t’i hakmerret zotëri Çeku, ose kujtdo tjetër që në këtë rast mund t’i ikë ballafaqimit”, tha tutje Kelmendi.
Megjithëse, Kelmendi thotë se nëse Çeku pajtohet me qëndrimin e partisë së tij, ai nuk do të ketë ulëse të zbrazët në studio.
“Por në këtë rast unë konfirmoj se po, të hënën në ora 21:00 mbahet debati i parë ballafaques i kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Zotëri Çeku edhe tani mund të thërrasë, dhe nëse thotë po, do ta ketë ulësen, sepse unë e kam ftuar, dhe e kam ftuar sinqerisht. Nëse zotëri Çeku pajtohet me qëndrimin e zëdhënësit të partisë, që mendoj se do të pajtohet, nuk e vë shumë në dyshim, por t’ia lëmë këtë përqindjen dyshimit, s’do ketë karrige në studio. Do të ishte jokorrekte për ata që do të vinë dhe ballafaqohen me njëri-tjetrin”./Klankosova.tv