"Darka e Lamës", Osmani: Kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit

“Darka e Lamës”, Osmani: Kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit

NULL NULL
1 muaj më parë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Ibrahim Rugova.

Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të partive politike dhe bizneseve kosovare.

Kjo darkë është organizuar konform respektimit të masave anti-COVID, teksa qëllim kryesor ka promovimin e produkteve vendore dhe punën e prodhuesve vendor, të cilët kanë pësuar nga pandemia COVID-19.

Osmani ka thënë se kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit.

“Darka e sivjetme mbahet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë. Këto rrethana na mbajnë më larg njëri-tjetrit fizikisht, por me karakterin e saj, do të na e rikujtojë se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit”.

“Darka e sivjetme përveç tjerash synon promovimin e prodhimeve vendore. Prandaj, ne kemi shtruar sonte sofër pikërisht me këto prodhime nga duart e tyre të vyera dhe do t`i ndajmë miqësisht me ju, sepse kështu ndajmë edhe jetën tonë sociale me njëri-tjetrin”, ka thënë Osmani.