“Darka e Errët”, kërkohet më shumë përkrahje për të verbrit (FOTO)

“Darka e Errët”, kërkohet më shumë përkrahje për të verbrit (FOTO)

NULL NULL
2 months më parë

Organizata “You Can Do” ka organizuar ngjarjen “Darka e Errët”, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta.

Mysafirët e ftuar janë futur në një sallë pa dritë, me ç’rast janë shoqëruar nga persona të verbër.

Betim Bregovina, person i verbër, tha se si kategori hasin në shumë vështirësi, sidomos gjatë ngrënies nëpër restorante. Ai theksoi se në vendet tjera nëpër botë, persona të tillë kanë më shumë komoditet.

“Darka e errët është improvizim sepse nuk mund të themi se është e errët, për arsye të mungesave të akomodimit tonë si staf, që jemi kryesisht persona të verbër. Duke u bazuar në vendet tjera nëpër botë, personat e verbër i kanë restorantet e veta që akomodohen dhe kështu që ne do të mundohemi ta aranzhojmë një improvizim, pra vetëshërbehemi dhe vetëpërgatitemi”, deklaroi ai.

Arta Domi, kryeshefe ekzekutive e ‘Trafikut Urban’, ka thënë se në këtë kompani janë të punësuar disa persona me nevoja të veçanta, të cilët e kryejnë punën me përpikëri.

“Në Trafikun Urban kemi staf me persona të tillë, të cilët e përfundojnë punën me shumë përgjegjësi dhe ndikojnë në kualitetin e mirëfilltë dhe jemi të nderuar që i kemi ata dhe do të doja që, mes tjerash, t’u japin mundësi e t’i punësojnë personat e tillë, të cilët mund të kontribuojnë shumë”, shtoi Domi.

Ndërkaq, profesori universitar Fadil Maloku tha se duhet të largohen paragjykimet për këtë kategori.

“Është kënaqësi kur i sheh këta persona që kanë arritur kaq shumë, dhe më vjen mirë që kanë marrë këtë iniciativë, që mendoj se duhet t’i shfrytëzojnë institucionet e ndryshme, në mënyrë që të paktën t’i largojmë këto paragjykime potenciale që i kemi si shoqëri, që ende vuajmë nga këto paragjykime, të cilat na pengojnë për t’u integruar në shoqëri”, deklaroi Maloku./EO