Lajmet e fundit

Kombëtarja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave përballet me Austrinë në playoffin kualifikues për Kupën e Botës 2027, me synimin për të vazhduar ëndrrën drejt turneut më të madh të futbollit.
Kosova vjen në këtë përballje pas një fushate mbresëlënëse në Ligën C, ku e përfundoi Grupin C2 në vendin e parë me 15 pikë, duke regjistruar pesë fitore dhe vetëm një humbje në gjashtë ndeshje.
Vajzat dardane shënuan plot 20 gola dhe pësuan vetëm tre, duke dëshmuar efikasitet në sulm dhe qëndrueshmëri në mbrojtje.
Gjatë kësaj faze, Kosova regjistroi fitore të thella ndaj Gjibraltarit, 6:0 dhe 8:0, ndërsa dy herë e mposhti edhe Bullgarinë, me rezultatet 2:1 dhe 3:1. Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte fitorja 1:0 në udhëtim ndaj Kroacisë, skuadrës së vetme që arriti ta mposhtte Kosovën në këtë grup.
Në anën tjetër, Austria vjen nga Liga A, ku e përfundoi grupin në vendin e tretë me vetëm katër pikë. Austriaket regjistruan një fitore, një barazim dhe katër humbje, duke shënuar tre gola dhe duke pësuar nëntë.
Fitorja e vetme e Austrisë ishte ajo 1:0 ndaj Sllovenisë, ndërsa barazimi më i vlefshëm erdhi ndaj Gjermanisë, 0:0. Megjithatë, Austria pësoi katër humbje në gjashtë ndeshje, përfshirë edhe disfatën 1:2 nga Norvegjia.
Në letër, Kosova vjen me statistika më të mira në këtë fazë, por përballja me Austrinë pritet të jetë një sfidë krejtësisht tjetër, duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarit.
Hyrja për tifozë në ndeshjen e parë është falas ndërsa transmetohet direkt në Artmotion, kurse takimi i kthimit është caktuar për 13 tetor në Austri. Për Kosovën, këto dy përballje paraqesin një mundësi të madhe për të vazhduar rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2027.
