16:36, 19 Shkurt 2019

Komuniteti shqiptar në qytetin bavarez të Bambergut, qe vite me radhë është shumë aktiv në prezentimin e denjë të popullit shqiptar në këtë pjesë të Gjermanisë.

Pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kulturore, sportive e politike, ndihma refugjatëve nga Ballkani, janë vetëm disa nga aktivitetet e komunitetit shqiptar të mbledhur pranë shoqatës shqiptaro-gjermane ”Dardania Bamberg”, njofton Klan Kosova.

Lirisht mund të thuhet se falë këtij aktiviteti kreativ dhe të palodhshëm, komuniteti shqiptar në Bamberg njihet si i integruar shumë mirë dhe është bërë një partner i rëndësishëm dialogu e pune për organet komunale të Bambergut kur është në pyetje integrimi i të huajve në këtë qytet.

Gjithmonë në krye të këtyre aktiviteteve e gjejmë kryetarin e shoqatës Florim Gashi, i cili me një rrjet të gjerë njërëzish shqiptarë dhe gjermanë, në të kaluarën i hapi shumë dyer shoqatës dhe komunitetit si në Bamberg e poashtu edhe në Republikën e Bavarisë.

Por aktiviteti për të cilët Dardanët e Bambergut  janë duke punuar këto ditë, është i një dimenzioni dhe natyre tjetër. ”Dardania” e Bambergut ka nderin, që deri më tani nuk e ka pasur asnjë shoqatë shqiptare në Gjermani, ajo do të jetë mysafire e Parlamentit gjerman (Bundestag) në Berlin me 10 dhe 11 Shtator.

Dardanët do të sfidojnë ekipin e futbollit të delegatëve të Bundestagut gjerman (FC Bundestag) të përbërë nga politikanë të frakcioneve të përfaqësuara në Parlamentin gjerman.

Kishin konkurruar shumë shoqata nga krejt Gjermania të jenë kundërshtari i futbollistëve politikanë gjermanë por shqiptarët bavarezë ishin ata që u përzgjodhën, lajm ky që e gëzoi pa masë edhe delegatin e Bundestagut gjerman nga Bambergu Andreas Schwarz.

Pas lojës së futbollit do të organizohet një mbrëmje e përbashkët me politikanët gjermanë ku do të ketë paraqitje të vlerave kulturore shqiptare.

Mbrëmja pritet ti shërbej njohjes dhe komunikimit më të mirë shqiptaro-gjerman.

Të nesërmen, mysafirët nga Bambergu, të cilët do të jenë të shoqëruar edhe nga persona prominentë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, janë të ftuar të vizitojnë edhe një seancë pune në Bundestagun gjerman.

”Edhe pse kemi kohë rreth shtatë muaj, ne veç kemi filluar përgaditjen për këtë ngjarje të jashtëzakonshme për ne. Duam që në zemër të Berlinit të jemi nikoqirë të denjë të bashkëqytetarëve tanë gjermanë. Shpresoj të kemi ndihmën e kumunitetit shqiptar në Berlin e natyrisht edhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin por edhe të komunitetit të gjerë në Gjermani”.

Kryetari Florim Gashi pa e fshehur krenarinë dhe gëzimin që shoqatës të udhëhequr nga ai ju dha një rast kaq i mirë prezentimi jo vetëm të shoqatës dhe bashkëkombasve nga Bambergu por gjithë komunitetit shqiptar në Gjermani.

”Jemi të lumtur dhe krenarë të përfaqësojmë kombin tonë pranë një institucioni aq të rëndësishëm siç është Bundestagu. Ftoj të gjithë ata që kanë mundësi të na ndihmojnë në çfarëdo forme sepse në ato dy ditë të rëndësishme në Berlin do të përfaqësojmë gjithë komuniteti tonë në vendin mik gjerman”, thërret për ndihmë aktivisti i palodhur Florim Gashi, njofton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë