Danas: Franca dëshiron rol udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi

Danas: Franca dëshiron rol udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi

10 muaj më parë

E përditshmja serbe “Danas” sot i ka kushtuar një artikull zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë nga faktorët ndërkombëtar.

Gazeta përmes burimeve të saj tregon se cilat janë pozicionimet e shteteve që kanë interesa në Ballkanin dhe propozimet e tyre. Ajo gjithashtu shkruan edhe për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë nga partia e Albin Kurtit, njofton Klan Kosova.

Gjetja e një zgjidhje përfundimtare për Kosovën u bë edhe më e ndërlikuar pas fitores së Vetëvendosjes, e cila nuk po pranon të kthehet në tryezën e bisedimeve, nëse do të duhet që Prishtina të bënte koncesion, shkruan Danas.

“Vetëvendosje është e përqendruar në bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, por kjo dëshiron që të bëhet ngadalë dhe me kujdes sepse nuk është në interes të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës ta bashkojë atë me një vend që ka shumë probleme të brendshme, përfshirë korrupsionin dhe krimin”, thanë jozyrtarisht sot diplomatët që komentojnë mbi paqartësinë e tanishme për vazhdimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë.

Sipas burimeve tona, Vetëvendosja, e cila nuk është e kënaqur me situatën në Shqipëri, do të përpiqet në të ardhmen e afërt, “përmes degës së saj në Tiranë, të inkurajojë Shqipërinë të lëvizë në një drejtim më pozitiv dhe pastaj të marrë në konsideratë opsionet e bashkimit”.

“Në ndërkohë, akterët ndërkombëtarë vazhdojnë të përqendrohen në problemin e Kosovës, gjë të cilën ata kryesisht e bëjnë prapaskenave. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë të kundërshtojnë ndikimin e Rusisë në Serbi duke gjetur një zgjidhje për Kosovën. Por qasja e SHBA-së është gjithnjë e më shumë kaotike, duke pasur parasysh interesat në kundërshtim brenda SHBA-së dhe pikëpamjet e ndryshme brenda BE-së”.

“Franca dëshiron të marrë drejtimin në zgjidhjen e problemit të Kosovës në mënyrë që të demonstrojë fuqinë e saj kombëtare, ndërsa mbledhja e Komisionit të ri Evropian kërkon gjithashtu përparësi në proces për të treguar se ka besueshmëri në politikën e jashtme ndërkombëtare. Ndërkaq, Gjermania përpiqet të bindë BE-në që të përjashtojnë plotësisht çdo mundësi ndarjeje të Kosovës, nga frika e destabilizimit të Bosnjës e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut”, thanë burimet.

Diplomatët nga disa vende të BE-së vërejnë se përpjekjet e Perëndimit për të zgjidhur “nyjën e Kosovës” janë shumë shqetësuese për Rusinë, e cila ka frikë se pozicioni i saj në Ballkan do të tronditet, kjo është arsyeja pse Kremlin po merr një rol gjithnjë e më aktiv në politikën e Serbisë”.

Një tubim i quajtur “Dialogët e Ballkanit” u mbajt dje në Berlin. Një nga temat kryesore të bisedimeve, që u zhvilluan kryesisht pas dyerve të mbyllura, ishte mundësia e “përparimit pozitiv” në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Pjesëmarrësit përfshinin shumë politikanë nga rajoni, si dhe diplomatë nga SHBA-të, BE-ja dhe Gjermania.