Danaj: Bashkimi kombëtar nuk është larg NULL NULL 27.04.2015 17:08 27.04.2015 17:08 Koço Danaj, kryetar i Listës për Shqipërninë Natyrale tha se bashkimi kombëtar ka për të ndodhur shpejtë, pasi Shqipëria nuk do të pranohet në BE pa Kosovën. Ai thumboi politikanët dhe deklaratat e tyre të cilat i quajti të pamjaftueshme. Sipas tij mjaft kemi bërë deklarata, tani duhet hartuar një platformë e qartë e bashkimit dhe si e tillë ajo t’i prezantohet Brukselit. Deklaratën shumë të përfolur të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ai e quajti paralajmërim e jo provokim. “Nuk kemi të bëjmë me një provokim, kemi të bëjmë me një reagim. Po ju sjell një shembull: reagimi i Ambasadës Amerikane ishte pa emër. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve u shpreh se ndoshta nuk ka ardhur koha për gjëra të tilla. SHBA, kur do të prononcohet për një problem, në të gjithë hapësirën e kombit shqiptar, flet me emra, me emër ambasadori e me emër këshilltari, me emër zëdhënësi të Departamentit të Shtetit etj. Këtë herë pa emër”, tha ai. Për ta arsyetuar këtë ai shembull mori rastin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe fyerjet që u janë bërë e po u bëhen atyre, fyerje që kanë krijuar një situatë shumë të tensionuar atje. “A doni të mos ketë rrezik, lërini shqiptarët të bashkohen. Shqiptarët janë të përçarë në disa shtete. Bashkojini shqiptarët dhe nuk do kini më asnjë shqiptar që të shkojë të kërkojë azil në asnjë vend të BE-së. Përkundrazi, do të jenë të huajt që do vijnë në Shqipëri.” Delja e zezë në gjithë këtë mes sipas tij janë politikanët shqiptarë të cilët me servilizmin e tyre kanë sjellë këtë gjendje. “Kështu do t’i kursejmë edhe qindra milionë euro BE-së, ose këto qindra milionë euro qe sot i harxhon për mbi 90-të zv/ministra në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Sot kemi tri administrata, nesër do të kemi një. Pra, këto qindra miliona euro ose do t’i marr kombi shqiptar për mirëqenien e tij. Të gjithë përfitojnë ngabashkimi i shqiptarëve dhe të gjithë humbasin nga ky copëtim kriminal i shqiptarëve.” Për më shumë, Danaj i quan të mosqena dhe produkt i një mungese vizioni e platforme arsyetimet se Brukseli nuk pranon bashkimin e shqiptarëve. “Brukseli kërkon platformë. Tirana e ka në Kushtetutë që bashkimi shqiptar është aspiratë e ligjshme. Bukur. Ulu e zbërtheje. Le të hartojmë platformën dhe t’ia dorëzojmë Brukselit. Atëherë ke të drejtë të thuash do apo nuk do Brukseli. Mund të mos dojë Brukseli, që nuk donte as bombardimin e Beogradit. Por, do Amerika, e cila kombin shqiptar e ka aleatin e saj strategjik”. Intervistën ai e përfundoi me një paralajmërim, që më shumë ngjan me një uratë, “Bashkimi i shqiptarëve nuk është larg.” *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Paçarizi: Deklarata e ministrit Aliu kriminale, duhet të kërkojë falje ose të japë dorëheqje (VIDEO) 2 days