Lajmet e fundit
Prej orëve të paradites e deri pasdite, fëmijët mblidhen në një vend për të ndarë së bashku kohën më të madhe të ditës.
Prindërit nuk kanë zgjidhje tjetër pos që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në kopshte gjatë gjithë ditës, meqenëse u duhet të punojnë.
E për këtë problem, zgjidhje ofron shteti i Republikës së Kosovës përmes çerdheve të saj publike në shumicën e qyteteve të saj.
Sipas të dhënave, numri i çerdheve shkon rreth 75, megjithatë, ende vazhdon të ketë komuna në të cilat mungon çerdhja e shtetit, siç ishte Deçani për të cilin raportoi Kiks Kosova në dhjetor të 2025-ës.
Por, problemet janë të dukshme edhe në komunat ku çerdhet publike janë funksionale.
Ankesat më të shpeshta që redaksia ka pranuar, qenë të çmimeve të larta të çerdheve private.
Andaj, Kiks Kosova tentoi që të shoh se cilat janë çmimet aktuale që qarkullojnë në tregun privat.
Një prej kopshteve private, çmimin për një fëmijë e pati 210 euro për orar të plotë, ndërsa 150 euro për 4 orë.
Një kopsht tjetër, çmimin për një fëmijë e kishte 170 euro, ndërsa për 2, 150 euro.
Çmimet tjera të cilat si duket qarkullojnë më së shumti, janë 150 e 130 euro.
Kiks Kosova ka dalë në terren për të parë nga afër se çfarë mendojnë prindërit për këto çmime dhe për numrin e vogël të çerdheve publike.
Deri në 180 euro arrin çmimi për 1 fëmijë në çerdhe private.
Në Fushë Kosovë, kostoja për të dërguar fëmijët në përkujdesje ditore po rritet nga viti në vit.
Andaj, asamblisti i PDK-së në Fushë Kosovë, Valon Murseli, në një prononcim për Kiks Kosoën tregoi që ka pranuar kërkesa të shumta nga qytetarët.
Megjithatë, kërkesa e Murselit nuk eci përpara ngase mungoi mbështetja e shumicës në kuvend komunal.
Në anën tjetër, nga Komuna e Fushë Kosovës konfirmuan për Kiks Kosovën që për këtë problem janë të informuar dhe kanë planifikuar projekte.
Sipas drejtorit të Arsimit, Sabri Xhigolit, në plan janë çerdhet në Miradi të Epërme dhe në Sllatinë por që po punohet edhe në zgjerimin e kapaciteteve në pjesë të tjera të komunës.
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, pohon se një nga arsyet kryesore se pse janë rritur kostot në kopshtet private është kërkesa e madhe.