Lajmet e fundit

Shkruan: Blerim Shala
Politika dhe shoqëria e Kosovës kanë hyrë tash e disa ditë në një territor të panjohur.
Nuk ka busull për orientim.
Ashtu po duket.
Janë disa arsye për një konkludim të këtillë.
Ajo busulla e jonë e rëndomtë politike nuk ka si pikë orientimi Veriun por Perëndimin. Atë Perëndimin si politikë, si qytetërim, si drejtim të vetëm të këtij populli dhe këtij shteti.
Duhet thënë me të parën: Nuk mund të ketë farë debati kah do t’ia mbajmë ne. Është gabim edhe të mendohet, edhe të diskutohet për diçka të tillë.
Këtu kemi mbërri, në atë periudhën e madhe historike që lidhë vitet 1989-2008 (as njëzet vjet të plota), pikërisht sepse u shfaqëm si popull pro-perëndimor, pikërisht sepse bindëm Amerikën dhe Evropën, në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe me luftë, edhe me flijim, edhe me urti dhe dije politike, që liria dhe shteti i Kosovës janë vlera të mirëfillta perëndimore.
Për këtë shkak Amerika dhe Evropa u bënë partner me ne në këtë ndërmarrjen e madhe të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Nuk mund ta kontestojë gjë këtë fakt dhe këtë vlerë supreme.
Megjithatë, në anën tjetër, prej Verdiktit të 16 shtatorit në Hagë e këndej, ndër ne janë shfaqur rrëfime të shumta të cilat pos tjerash edhe i kthehen atij mendimi dikur mbizotërues tek ne (para atij kapitulli historik për të cilën shkruam pak më parë), që jemi të pafat, jemi fillikat vetëm, që edhe Perëndimi nuk mendon fare për ne (apo gabon në trajtimin tonë).
Kemi qenë për gati njëqind vjet humbës në histori. Ka mundur edhe të na falej ky mendim më parë. Por që prej se dolëm në anën e ndritshme të historisë (prej vitit 1999 e këndej), me të drejtë kemi folur dhe shkruar ndryshe.
Nuk ka fjalë që Verdikti i Hagës dhe dënimi me 81 vjet burg i katër ish-kryengritësve të lartë të Kosovës, ka lëkundur gjërat për të keq.
Është vështirë ta bindësh dikë tek ne, që prej asaj dite, që duhet besuar në drejtësi, që në Gjykatën e Apelit në Hagë gjërat do të kthehen mbarë, që kjo çfarë ndodhi pak javë më parë nuk godet UÇK-në si tërësi, dhe me këtë edhe vet lirinë e Kosovës, dhe epilogun e saj, shtetin e Kosovës.
Dyshimet janë të mëdha. Më të mëdhatë në çerek shekullin e fundit. Edhe këtë duhet shtuar.
Por ne nuk jemi ç’të bëjmë tjetër, si politikë dhe si shoqëri, pos që të hymë në një betejë tjetër politike dhe diplomatike, për t’i ndarë me shtetet kryesore perëndimore shqetësimet tona të mëdha për gjithë atë çfarë ka ndodhur deri tash në Hagë, dhe çka mund të ngjajë tash e tutje.
Ne e kemi të vërtetën tonë në gjithë këtë rrëfim, ia vlen të shtohet këtu, që thuaja nuk ka fare pikëtakime me të vërtetën e kryeqendrave perëndimore për Gjykatën e Hagës.
Na kujtohet që kështu ka qenë edhe atje në fillim vitet e nëntëdhjeta.
Asokohe flitej me të madhe prej nesh, si Lëvizje politike për pavarësinë e Kosovës, për ‘ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës’.
Ndërkombëtarizimi kishte domethënien që kjo e vërteta e jonë për Kosovën, të ndikojë në mënyrë thelbësore në Perëndim, që ajo të përfillet dhe madje, disi të ‘certifikohet’ edhe prej Washingtonit, Londrës, Berlinit, Parisit, Romës, Brukselit.
Kështu edhe ndodhi.
Kështu ndodhi edhe me të vërtetën për luftën e UÇK-së në vitet 1998, 1999.
Po mos të ishte kështu nuk do të çliroheshim kurrë, dhe as nuk do të bëheshim shtet kurrë.
Në këto rrethanat e tanishme, ne duhet t’i kthehemi këtyre mësimeve të suksesshme të cilat çelën udhë për ne në atë rrëmujën e përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta.
Kjo do të thotë që duhet ta bëjmë të pamundurën që sërish t’i bëjmë për vete shtetet kryesore perëndimore në trajtimin e gjithë këtij kallëzimi për Hagën.